VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DËSHMIA - SHPËRTHIMI NË VLORË SI NË BAGDAD, VAJZA BËRTISTE, ASKUSH NUK E NDIHMONTE!

E Premte, 08.29.2014, 09:46am (GMT1)



VLORE - Atentatori duket se duhej të sigurohej mirë që objektivi i tij do të vritej. Për këtë arsye montoi në automjet një sasi, e cila dyshohet se është më shumë se 500 gram eksploziv. Dëshmitarët tregojnë se shpërthimi ishte aq shumë i fortë, sa rrëzoi shishe dhe objekte që gjendeshin në lokale e shtëpitë përreth. Në një intervistë për "GSH", pronari i një biznesi, me inicialet L.V., pranë vendit ku ndodhi ngjarja, rrëfen momentin që ndodhi ngjarja dhe minutat që pasuan.

Ku ishit në momentin që ndodhi ngjarja?
Kam qenë në lokal së bashku me klientë, kur për një moment kam dëgjuar një shpërthim shumë të madh. Ishte aq shumë i fortë, sa ranë në tokë shishe që gjendeshin në banak dhe ora e murit. Mund ta krahasoj me një tërmet nga tronditja dhe me një bot gazi nga zhurma. Jemi trembur jashtëzakonisht shumë dhe fillimisht u shtrimë të gjithë në tokë. Ishte një skandal i vërtetë, një ngjarje shumë tronditëse.
 
Në cilin moment dolët për të parë?
Pak pas shpërthimit, po dëgjoheshin thirrjet e një vajze. Dola nga lokali së bashku me klientë të tjerë, por të them të drejtën askush nuk guxonte të afrohej. Vajza ishte disa metra larg makinës, si duket nga presioni i madh i shpërthimit fluturoi jashtë, madje në një farë mënyre e shpëtoi, se vajza ishte e gjallë kur u transportua për në spital. Vajza qëndroi goxha në tokë.

Ishte i fortë presioni i shpërthimit, thatë?
Jo i fortë, por tronditës. Me aq sa pamë, e kishte spostuar makinën nja 10 metra, ndërsa copat ishin hapur sa andej- këtej. Pasi ndihmuam vajzën, e cila të them të vërtetën ka ndenjur nja 10 minuta dhe s'e prekte njeri me dorë se kishim frikë, shkuam të ndihmonim dhe shoferin, por me aq sa pamë s'kishte shumë për të ndihmuar. Jo  vetëm ne, por edhe ambulanca kur erdhi, iku përsëri dhe nuk e preku. Më pas e mbuloi policia me një çarçaf. S'kisha parë ndonjëherë një shpërthim të tillë dhe në atë mase.

Patë ndonjë makinë që e ndiqte apo ndonjë debat momental?

Unë jo, por as miqtë që ishin jashtë nuk kanë parë diçka të tillë. Kishin parë një ecje normale të automjetit e të qetë dhe në moment shpërtheu.

U rrezikuan banesa apo njerëz të tjerë?

Me ç'mora vesh, tronditje më shumë, dhe një hallexhi përveç vajzës së re, që u vra pak. Dukej si Bagdad vërtet... Traumatizimi bëri që njerëzit të largoheshin me vrap. Ç'të të them!
ENRIK MEHMETI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.