LDK-AAK-NISMA I THONË 'JO' KRYEMINISTRIT KONSENSUAL
E Shtunë, 08.30.2014, 03:47pm (GMT+1)
PRISHTINE - Blloku LDK-AAK-NISMA, i krijuar pas
zgjedhjeve të 8 qershorit, është i vendosur të mos tërhiqet nga intenca e
krijimit të institucioneve, pavarësisht se vendimi i Gjykatës
Kushtetuese ia ka komplikuar gjërat.
Zyrtarët që vijnë nga ky
bllok, ende besojnë se mund ta bëjnë Qeverinë, pa pasur nevojë të bëjnë
marrëveshje me PDK-në. Pavarësisht ofertave që mund t'u bëjë PDK-ja, ata
janë përcaktuar që institucionet t'i bëjnë pa këtë parti. Në këtë
frymë, ata refuzojnë të hyjnë në marrëveshje me PDK-në, edhe sikur kjo
parti të heqë dorë nga posti i kryeministrit dhe të ofrojë zgjidhje
konsensuale.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë,
Donika Kadaj-Bujupi, ka deklaruar se në asnjë formë dhe në asnjë moment
blloku nuk pranon të futet në koalicion me PDK-në.
"Absolutisht,
jo. Në asnjë formë dhe në asnjë moment Partia Demokratike e Kosovës,
nuk do të jetë partner i koalicionit LAN. Blloku e ka të nominuarin për
kryeministër Ramush Haradinajn, sikurse e ka të nominuar edhe kryetarin e
Parlamentit Isa Mustafa, i cili veçse është zgjedhur dhe do të
rikonfirmohet vullneti i shumicës së deputetëve. Gjithashtu edhe postet
tjera të larta janë paraparë sipas marrëveshjes për partnerët e tjerë në
këtë koalicion", ka thënë Bujupi.
Çfarëdo përpjekje e PDK-së, sipas Bujupit, është e kotë dhe e papranueshme për bllokun dhe qysh tani i themi Jo.
www.voal-online.ch
|