Zgjedhja
e kryetarit të Kuvendit të Kosovës mund të përfundojë sërish në
Gjykatën Kushtetuese, paralajmërojnë analistët politikë në Prishtinë.
Sipas tyre, problemi i formimit të organeve të reja po adresohet në
vazhdimësi te Gjykata Kushtetuese, në mungesë të dialogut politik.
Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti
thotë se rrugëzgjidhja nuk mund të gjendet përderisa të mos ketë një
marrëveshjes mes PDK-së në njërën anë dhe bllokut të partive, LDK, AAK
dhe Nisma në anën tjetër.
Rashiti nuk e përjashton mundësinë që posti i kryetarit të Kuvendit, në rast se zgjidhet sërish pa marrëveshje me grupin më të madh parlamentar, sërish të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Veprime të tilla, sipas Rashitit degradojnë edhe Gjykatën
Kushtetuese, por edhe organet e reja të Kosovës, që do të duhej të
formoheshin pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit.
"Nuk do të ketë rrugëdalje derisa të mos ketë marrëveshje për
formimin e organeve ndërmjet bllokut LDK, AAK, Nisma edhe PDK-së. Të
dyja blloqet janë përcaktuar në rrugën e vet dhe nuk shihet deri më tani
në horizont ndonjë hapësirë për kompromis. Kishte qenë mirë që
presidentja dhe dikush tjetër të involvohen që të bëhen tentativat e
fundit për të formuar organet e kuvendit, nëse jo të shpallen zgjedhjet
sa më shpejt", ka thënë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, edhe Albert Krasniqi hulumtues në
Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED
mendon se pa një marrëveshje politike nuk do të mund të tejkalohet ky
ngërç politik.
Kushtetuesja me aktgjykimin e vet i
ka dhënë vetëm Partisë Demokratike të Kosovës të drejtën e propozimit
për kryetar të Kuvendit, thotë Krasniqi. Në këso rrethana, ai i sheh tri
mënyra për tejkalimin e kësaj gjendje bllokuese.
"E para është që blloku LAN (LDK, AAK, Nisma) ta votojnë
kandidatin e PDK-së por të mund të zgjedhin në mesin e kandidatëve nga
radhët e PDK-së, e dyta është që në mungesë të numrave, PDK-ja të heq
dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe të propozoj një kandidat nga
radhët e bllokut LAN. Kurse situata e tretë mund të jetë që Kuvendi me
dy të tretat e votave ta votoj shpërndarjen në mënyrë që t;ju hapet
rruga zgjedhjeve të parakohshme", ka deklaruar Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Analisti Albert Krasniqi thotë po ashtu se blloku i partive, LDK, AAK
dhe Nisma nëse përcaktohet që të nominojë dhe votojë kandidatin e saj
pa marrëveshje dhe nominim të PDK-së, atëherë mund të pësojë të njëjtin
fat sikurse në aktgjykimin e fundit kur u rrëzua nga posti i
kryekuvendarit, lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
"Vetëm PDK mund të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit
dhe asnjë prej partive tjera nuk mund ta bëjë këtë. Edhe në rast se PDK
do të hiqte dorë prapë ata do të duhej ta propozonin kandidatin nga
Blloku LAN (LDK, AAK dhe Nisma) nëse do të arrihej një marrëveshje", ka thënë Krasniqi.
Duke iu referuar opinionit të Gjykatës Kushtetuese, Naim Rashitit
thotë se ky aktgjykim është shumë eksplicit dhe nuk krijon shumë
mundësi. Madje, duke i parë dy taborret politike të ndara dhe pa
komunikim, Rashiti mbështet idetë që si rrugëzgjidhje të jenë edhe
zgjedhjet e reja.
"Nëse nuk ka marrëveshje politike për njërën rrugë apo tjetrën do
të ishte shumë më mirë që zgjedhjet të shpallen, sepse kjo agoni
institucionale që po vazhdon do ta vë në pikëpyetje edhe stabilitetin e
vendit", ka deklaruar Rashiti.
Nisur nga gjendja e krijuar, Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosoves Atifete Jahjaga thotë se që nga fillimi i mandatit të saj, presidentja ka luajtur rolin e faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve.
Andaj, në çdo rast, sipas Vllahiut, presidentja Jahjaga, në kuadër të
kompetencave të saj kushtetuese do të garantojë unitetin e popullit në
vend e në veçanti, në rast të rrezikimit të funksionimit të
institucioneve dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi
"Nuk përjashtohet mundësia që Presidentja Jahjaga të lehtësojë
diskutimet me forcat politike, gjithnjë duke ruajtur pavarësinë dhe
autonominë institucionale. Megjithëkëtë, Presidentja Jahjaga ju bën
sërish thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të angazhohen për
të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, duke treguar
përgjegjshmëri përpara qytetarëve të Kosovës, me votën e të cilëve kanë
marrë mandatin e tyre", ka thënë Vllahiu për Radion Evropa e Lirë.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin qe shpallur jokushtetues zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit, kjo çështje është kthyer në pikën zero.
Pika për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pritet të trajtohet në
seancën e cila pritet të jetë vazhdim i mbledhjes konstituive të 17
korrikut me pikën e vetme për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së
Kuvendit.
Zyrtarisht ende nuk ka asnjë datë të caktuar për thirrjen e seancës,
kurse jo zyrtarisht thuhet se edhe kjo javë do të jetë në dispozicion
për konsultime në mënyrë që seanca të caktohet për javën tjetër.
Zgjidhja e nyjës së kryetarit të Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit
të organeve të reja, përfshirë edhe qeverisë së re të Kosovës.