Në
Shqipëri anëtarët e Këshillit mbikqyrës të Bankës Qendrore do të
paraqiten nga nesër në seanca dëgjimore në Komisionin parlamentar të
Ekonomisë, pas skandalit të vjedhjes prej afër 7 milion dollarësh.
Ndërsa duke nisur nga data 5 shtator ata janë thirrur për t'u marrë në
pyetje edhe nga prokuroria, në kuadër të hetimeve të nisura prej saj.
Inspektorja
e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elvira Golemi, është e para
anëtare e Këshillit Mbikqyrës e cila është thirrur nesër në një seancë
dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Një ditë më pas do të jetë
parardhësja e saj në këtë post, Teuta Baleta.
Komisioni
i Ekonomisë ka zgjedhur të nis seancat dëgjimore, lidhur me skandalin e
Bankës, pikërisht me ato që kanë mbuluar funksionin e Inspektorit të
Përgjithshëm, pasi sipas kryetarit të komisionit Erion Brace, raportet e
tyre vjetore kanë nxjerrë në pah problematika mjaft të rënda sipas tij,
lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Bankës. Këto raporte, i janë
mohuar parlamentit prej shumë vitesh ka deklaruar zoti Brace.
Javën ardhshme,
në komision do të paraqiten edhe anëtarët e tjerë të Këshillit
Mbikqyrës, dhe në përfundim, do të thirret për herë të dytë edhe
guvernatori Ardian Fullani. Zoti Brace ka patur kritika të hapura ndaj
zotit Fullani, për shkak se ai, sipas tij, nuk i është përgjigjur
plotësisht kërkesës së Komisionit për informacione nga Banka.
Por
që nga kjo javë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës së Bankës do të duhet të
paraqiten edhe në prokurori. Të premten, prokurorët e cështjes kanë
thirrur anëtaren Ermelinda Meksi, e cila gati tre javë më parë kërkoi në
Këshillin Mbikqyrës shkarkimin e guvernatorit Fullani. Një kërkesë e
cila u hodh poshtë në unanimitet nga Këshilli. Po të premten do të
pyetet edhe Inspektorja e Përgjithshme Golemi. Ndërsa javën e ardhshme
anëtarët e tjerë. Ende prokurorët nuk kanë fiksuar një datë për të marrë
në pyetje guvernatorin Fullani.
Deri tani janë 17 persona të konsideruar përgjegjës për vjedhjen në
Bankën e Shqipërisë. Hetimi ka nxjerrë në pah mos funksionimin e një
sërë hallkash dhe strukturash të Bankës. Guvernatori Fullani dhe
Këshilli Mbikqyrës ka këmbëngulur në variantin se rregulloret dhe
procedurat e Bankës kanë qenë në përputhje me standartet më të larta.
Por
arrestimet e fundjavës së shkuar nxorrën në dritë edhe një fakt tjetër.
Dy nga 7 anëtarët e Komisionit të inventarizimit në Bankën e
Shqipërisë, të cilët kanë bërë verifikimet e arkës në vitin 2012 dhe
2013, kanë qenë elektricisti dhe hidrauliku i Bankës. Mbetet i paqartë
se cili ka qenë kriteri i përzgjedhjes së tyre dhe se cfarë i lidh këto
dy profesione me një operacion të pastër financiar, siç është bërja e
një inventari, aq më tepër i inventarit të arkës së Bankës Qendrore.
Për
situatën në Bankën e Shqipërisë, është folur edhe gjatë takimit që pati
sot në këtë institucion misioni i Fondit monetar ndërkombëtar.