VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VETËVENDOSJE - PDK DHE BEOGRADI ZVARRISIN QËLLIMSHËM FORMIMIN E INSTITUCIONEVE

E Premte, 09.12.2014, 06:58am (GMT1)


Përmes një kumtese për medie Vetëvendosje theksoi se në një përpjekje për krijimin e mekanizmave institucionalë paralelë, PDK-ja e pashpresë ndërmori edhe hapin e fundit për pengimin e krijimit të institucioneve: së bashku me Listën Serbe e shtynë për një javë seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ne jemi të bindur, vazhdon më tej kumtesa, se veprimi i sotëm i znj. Brovina nuk ishte vendim i saj personal, por një strategji e qartë partiake. Jemi thellësisht të pakënaqur që znj.Brovina dhe PDK-ja iu nënshtruan një kërkese fare të paarsyeshme të Listës Serbe. Nuk ka pasur kurrfarë justifikimi për shtyrjen e një seance edhe ashtu tejet të vonuar vetëm e vetëm pse Thaçi nuk dëshiron ta lëshojë pushtetin.

Vetëvendosje vlerëson se shtyrja e seancës ishte e qëllimshme dhe e nxitur drejtpërdrejt nga partia e Kryeministrit të shkuar e cila nuk po lë gur pa lëvizur në funksion të evitimit të ngjarjes e cila do ta shpallte fillimin e humbjes përfundimtare të krimit të organizuar në Kosovë. Në fakt, kjo nxitje e PDK-së u parapri nga urdhri publik nga Beogradi mbi atë se si duhet të duket Qeveria e ardhshme e Kosovës. Mirëpo, Serbia nuk mund të vendosë për përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe kohën e formimit të institucioneve të Republikës sonë.

Qytetarët e Kosovës me padurim e kanë pritur dhe e presin krijimin sa më të shpejtë të institucioneve. Kjo është një e drejtë elementare e qytetarëve si dhe obligim i të zgjedhurve. Përveç kësaj, edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë kërkuar me ngulm krijimin sa më të shpejtë të institucioneve. Bile edhe opozita e ardhshme e Kuvendit, PDK-ja, u deklarua para dy ditësh se shtyrja e seancës është plotësisht e panevojshme. Kurse sot u vërtetua edhe një herë se është pikërisht ky subjekt politik që po i bën të gjitha drejt zvarritjes sepse nuk po dëshiron të përballet me të vërtetën e numrave të demokracisë në ditën e themelimit të Kuvendit.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.