VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË SHTËNA NË VERI TË MITROVICËS - NJË I VDEKUR DHE NJË I PLAGOSUR

E Djelë, 09.14.2014, 06:45am (GMT1)


Të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës, në një lokal në fshatin Leshak, si pasojë e të cilave një i ri i nacionalitetit serb, M. Vuloviq (29 vjeç) ka ndërruar jetë, ndërsa vëllai i tij M. Vuloviq (30 vjeç) është dërguar në qendrën mjekësore në Mitrovicë të veriut, raporton agjencia serbe e lajmeve "Tanjug".

Drejtori i Qendrës Mjekësore në Mitrovicë të veriut, Milan Ivanoviq, i ka thënë kësaj agjencie se gjatë të shtënave janë plagosur dy të rinj, nga të cilët në këtë qendër njëri është sjellë pa shenja jete, transmeton Koha.net.

I riu që ndërroi jetë ishte plagosur në stomak, ndërsa nga gjakderdhja kishte humbur jetën. I riu tjetër siç ka deklaruar Ivanoviq, është qëlluar në gjoks, ndërsa aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Shefi rajonal i Policisë së Kosovës, Zhelko Bojiq, ka thënë për "Tanjug" se të shtënat kanë ndodhur rreth orës 20:50 dhe se dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë.

Personi i dyshuar është arrestuar pak pas orës 23, ndërsa si pjesë e këtij operacioni janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.