VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ROBERT CAROLAN, GJYQTARI AMERIKAN I GJYKATËS KUSHTETUESE TË KOSOVËS, JEP DORËHEQJEN - NUK U PAJTUA ME ENVER HASANIN PËR VENDIMIN NDAJ ISA MUSTAFËS

E Hënë, 09.15.2014, 12:29pm (GMT1)



Gjyqtari amerikan në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Robert Carolan është larguar nga ky post.

Në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese thuhet se "Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, është informuar nga gjyqtari Robert Carolan për largimin e tij nga puna për arsye personale dhe i njëjti nuk do të jetë më gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës".

Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë me punën e saj si tani, theksohet në njoftimin për media.

Në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese mbi rrëzimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit, gjyqtari Carolan kishte mendimin e tij mos pajtues.

Ai i kishte dhënë të drejtë kushtetuese Mustafës, pavarësisht që Gjykata me shumicë votash e kishte konsideruar këtë zgjedhje jashtë procedurave dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Pas largimit të Carolan, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës tani kanë mbetur edhe dy gjyqtar ndërkombëtarë. Atyre u është vazhduar mandati me një vendim të presidentes Atifete Jahjaga, ngaqë Kuvendi i Kosovës është jo funksional dhe nuk ka arritur që t'i zëvendësojë me gjykatës vendas.

Robert Carolan, deri në emërimin e tij gjyqtar në Kushtetuese, ishte gjyqtar në Gjykatën Rajonale të shtetit Minesota në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, post në të cilin është zgjedhur në vitin 1987. Në një periudhë ai ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar edhe në Divizionin e Apelit të Dhomës për Krime të Luftës të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës. Ai po ashtu ka shërbyer si gjykatës ndërkombëtar në UNMIK nga viti 2002 deri në vitin 2003, dhe pastaj nga viti 2004 deri në vitin 2005 ka shërbyer si kryesues i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës.  
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.