VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MEDIAT NË TIRANË - PRITEN ARRESTIME POLITIKANËSH VIP

E Mërkurë, 09.17.2014, 10:28am (GMT1)



Dje Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, ka firmosur krijimin me urgjencë të Njësisë së Speciale Antikorrupsion.

Korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe funksionarëve të sistemit të drejtësisë do të jetë në shënjestër të një grupi të posaçëm në Prokurorinë e Përgjithshme. Kreu i këtij institucioni, Adriatik Llalla ka përzgjedhur tre prokurorë dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore, si bërthama kryesore e grupit që do të hetojë krimet dhe korrupsionin e nivelit të lartë në vend, shkruan sot Koha Jonë.

Njësia Antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të drejtohet nga prokurori Arben Kraja, një prej prokurorëve me përvojë në hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme. Jo rastësisht emrat e prokurorëve janë përzgjedhur mes atyre që kanë punuar gjatë me dosjet që lidhen me korrupsionin, krimin ekonomik dhe krimin e organizuar.

Qëllimi kryesor i njësisë speciale antikorrupsion është hetimi i pasurive të zyrtarëve të lartë dhe i dosjeve që kanë nëpër sirtarë e që kanë mbërritur në zyrat e tyre.

Mësohet se hetimi i milionave të zyrtarëve dhe gjyqtarëve do të bëhet duke bashkëpunuar ngushtë me Inspektoratin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se grupi i posaçëm i hetimit ka të gjithë mbështetjen logjistike të prokurorisë për hetimin e rasteve të veçanta. Çka nënkupton hetimet me metoda të specializuara, si përgjimet telefonike dhe përgjimet e komunikimeve elektronike, për rastet kur ka të dhëna të besueshme për korrupsion. Hetimi i pasurive do të zbulojë jo vetëm rastet e korrupsionit, por do të fokusohet edhe në goditjen e grupeve dhe strukturave kriminale në aspektin ekonomik.

Në këtë drejtim, pritet të ketë hetime të imtësishme për rastet e dyshuara në transfertat bankare dhe investimet private të personave që dyshohen për korrupsion dhe nuk justifikojnë me të ardhurat që kanë pasuritë miliona dollarëshe.

Hetimi i politikanëve do të jetë objekti kryesor i ngritjes së kësaj strukture në Prokurori. Janë me dhjetëra raste abuzimesh dhe faktesh publike për abuzimet e politikanëve. Me ndryshimet e Kodit Penal, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Task-Forca e ngritur dje ka gjithë juridiksionin ligjor për të nisur hetimet ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Madje, për hetimin e rasteve të korrupsionit, me ndryshimet në ligj për çdo rast Prokuroria ka të drejtë të veprojë si me pasuritë e krimit të organizuar. Gjë që do të thotë se kur ka prova që një politikan apo gjyqtar nuk e justifikon pasurinë që ka, por e ka vënë në mënyrë korruptive, atëherë ajo do t'i sekuestrohet. Do të jetë ky grup prokurorësh që janë përzgjedhur dje nga Adriatik Llalla, të cilët do t'i sugjerojnë Gjykatës sekuestrimin e pasurive për personat e korruptuar.

Ndërkohë, po kjo "njësi speciale" në prokurori do të ketë përparësi dhe hetimin e korrupsionit dhe abuzimeve me detyrën në radhët e gjykatësve edhe përfaqësuesve të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Ngritja e Njësisë Anti-korrupsion që do të ketë në vëzhgim vetëm korrupsionin në nivelet e larta ndryshon mënyrën sesi është hetuar ky fenomen deri më sot. Jo vetëm do të ketë sekuestrim pasurish, por edhe ndjekja e procedurave nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Krimeve të Rënda përshpejton procedurat burokratike.

Mësohet se Kryeprokurori i Republikës, zoti Llalla, ka qenë mjaft i prerë dje dhe ka urdhëruar që të hetohet çdo zyrtar i lartë dhe sipas ligjit të ndëshkohet, kjo e përkthyer me rastin "Fullani" do të thotë se do të ketë arrestime VIP. Adriatik Llalla ka qenë i ashpër edhe për disa dosje që po hetohen, por që akoma nuk janë futur në veprim për disa zyrtarë shumë të lartë të vendit. Në takimin me grupin e prokurorëve këto ditë ai ka thënë se nuk dua t'ia dini për asnjeri apo presion politik e mediatik, kur keni fakte. Zbatoni ligjin! ka thënë Llalla, që do të thotë se nuk ka asnjë stepje para askujt që ka shkelur ligjin.

Ndërkohë në duart e Njësisë Speciale të krijuar dje janë dy dosje ish-ministrash, ku për njërin thuhet se do të përfundojë në burg, pasi po presin dhe një konfirmim për pasurinë e tij nga Hipoteka; një ish-drejtor i përgjithshëm, dy kryetarë bashkish e po hetohet edhe për një ministër të kabinetit "˜Rama'. Ministrat e sotëm janë pa imunitet parlamentar dhe nëse ka prova, mund të arrestohen menjëherë nga Njësia e krijuar dje. Ministri po hetohet për pasurinë e tij dhe për një marrëveshje që dyshojnë se ka prodhuar miliona fitime indirekte për një kompani, e cila ka lidhje private me ministrin në fjalë.

Ligjet kundër korrupsionit nuk kanë munguar edhe më parë, por këtë herë Prokuroria duket se ka në anën e saj dhe angazhimin e mazhorancës. Të paktën në parim, sinjalet për luftën ndaj korrupsionit kanë qenë të qarta. Arrestimet e kohëve të fundit kanë treguar se prokuroria, kur ka prova, nuk mund të prangosë vetëm "peshq të vegjël", por edhe të mëdhenj. Me krijimin e strukturave të reja ligjore prokuroria ka mundësinë që të ngrejë akuza dhe për politikanë me pushtet që kanë abuzuar. Shpejtësia me të cilën Prokuroria e Përgjithshme ngriti njësinë speciale të hetimit, tregojnë se shumë shpejt do të ketë hetime dhe arrestime të bujshme. Janë me dhjetëra rase për të cilat pritet që prokurat të zhvillojnë hetime, ku përfshirë politikanë të përzier në afera korruptive.

Prokuroria është në ofensivë, por ka nevojë që gjykatat të pësojnë një reformë të thellë ligjore e strukturore që t'i përgjigjen ritmit të organit të akuzës, pasi flitet e ka fakte që gjyqtarët marrin para' duke shkelur ligjin. Njësia në fjalë ka nën hetim edhe 12 gjyqtarë të niveleve të ndryshme, mes tyre dhe një në Gjykatën e Lartë për pasurinë që nuk e justifikon sipas Njësisë Speciale. Mësohet se do t'i kërkojnë që të justifikojë me dokumente gjithë pronësinë që ka në hipotekë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.