VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIVE BLOG: SEANCA KONSTITUTIVE

E Enjte, 09.18.2014, 07:46am (GMT1)

RADIO EVROPA E LIRË

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

18.09.2014



DIREKT Përmbajta përditësohet automatikisht.
08:07

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me të paktën 61 vota të deputetëve.

Me zgjedhjen e tij, përfundon procedura e konstituimit të Kuvendit dhe i hapet rruga formimit të qeverisë së re të Kosovës, e cila po ashtu duhet të siguroj të paktën 61 vota të deputetëve.  

08:06

Analistët politik kanë tërhequr vërejtjen se Gjykata Kushtetuese i ka njohur të drejtën e propozimit vetëm PDK-së. Por, blloku i koalicionit të gjerë pas zgjedhor pretendon se e ka të drejtën e nominimit, pasi që e ka shumicën parlamentare.

Bazuar në këto paqartësi ligjore e kushtetuese, opinionistët nuk e kanë përjashtuar as mundësinë që seanca e sotme e 18 shtatorit të jetë një reprizë e asaj të 17 korrikut, ku PDK ka të drejtën e kandidimit, por mund të mos i ketë votat për miratim, kurse blloku pas zgjedhor i ka votat por mund të ketë telashe me procedurat kushtetuese.

08:05

Gjykatës Kushtetuese kishte vlerësuar se vendimi i 83 deputetëve për zgjedhjen e Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit ishte jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht, e kishte shpallur postin e fituar nga Mustafa të pavlefshëm.

Kurse në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja fillimisht e kishte definuar se të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit e ka Grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast nënkuptonte PDK-në. Kurse më poshtë, kërkonte që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese.

Duke u nisur nga ky aktgjykim, në seancën e 18 shtatorit PDK ka konfirmuar se do të nominoj për kryetar të Kuvendit, deputetin e saj Arsim Bajrami. Kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ka paralajëmruar se do të nominoj sërish për këtë post,liderin e LDK-së,  Isa Mustafën.

08:01

Isa Mustafa, 17 korrik
Isa Mustafa, 17 korrik

"‹Pas largimit të PDK-së nga salla, deputetet e LDK-së, AAK-së, Nisma, Vetëvendosjes dhe pakicave, ishin kthyer në sallë. Me prezencë të 83 deputetëve dhe me 65 vota për, seanca kishte zgjedhur më 17 korrik Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, me këtë vendim nuk ishte pajtuar PDK-ja e cila e kishte proceduar lëndën në Gjykatë Kushtetuese. Pas shqyrtimit të lëndës së PDK-së, me kërkesë të LDK-së, më 21 gusht ishte thirrur edhe një seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.

Një ditë më vonë, Kushtetuesja nxorri aktgjykimin, duke e shpallur jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e mbajtur nga 83 deputetë.

07:58

Partia Demokratike Kosovës kishte propozuar deputetin e saj Agim Aliu për kryetar të Kuvendit dhe me atë rast, blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma si edhe Lëvizja Vetëvendosje lëshuan sallën, duke i pamundësuar Kuvendit vazhdimin e seancës.

Në mungesë kuorumi, kryesuesja e seancës, Flora Brovina kishte mbyllur mbledhjen deri në ftesat e ardhshme për deputetët.

 

07:53

Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

Seanca konstituive e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, ka filluar më 17 korrik. Në atë seancë, deputetët miratuan verifikimin e mandatëve dhe dhanë betimin. Kurse në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit deputetët u ndanë në dy blloqe.

--

ZËRI I AMERIKËS


18.09.2014
Të enjten mblidhet Parlamenti i Kosovës
Partitë politike shkojnë në seancë me qëndrime të ndara rreth ndërtimit të institucioneve, në bazë të zgjedhjeve parlamentare të tetë qershorit.

Deputetët e Parlamentit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë pa ndonjë marrëveshje që do të nxirrte vendin nga ngërçi politik, në të cilin ndodhet që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare te tetë qershorit.

Në fund të muajit gusht, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet.

Kjo parti tashmë pret një pjesë të votave të pakicave kombëtare jo serbe e mbase edhe të Listës serbe që ka nëntë deputetë, e cila të mërkurën tha se nuk do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni në të cilin do të përfshihej lëvizja Vetëvendosje.

Lista serbe ndryshoi qasjen e saj ndaj bllokut të krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, për shkak se në marrëveshjen e këtyre partive për koalicion, parashihej që Vetëvendosje të merrte udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë.

Por, pavarësisht nëse do të ketë edhe mbështetjen e Listës serbe, Partia Demokratike nuk i ka numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit pa ndonjë marrëveshje politike, ndërsa partitë tjera shqiptare thonë se i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe të formojnë më pastaj edhe qeverinë.

Vëzhguesit thonë se seanca e së enjtes mund të jetë e njëjtë me atë të 17 korrikut dhe pas kësaj Kosova mund të hyjë në një fazë të re të vështirësive edhe ashtu të mëdha për zgjidhjen e situatës.

Në vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese tha se u takon deputetëve që të gjejnë një zgjidhje, meqë kushtetuta nuk parasheh që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast të dështimit për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Por një mundësi e tillë nuk është përjashtuar, ndonëse asnjëra nga partitë politike nuk shprehet në favor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Nëse dita e sotme nuk çon në një zgjidhje, paralajmërohet mundësia e ndërhyrjes së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për të lehtësuar një dialog politik e mbase edhe i diplomacisë perëndimore e cila deri tash është përmbajtur duke bërë thirrje për një zgjidhje politike n ga ana e vet partive politike në Kosovë.

--

Pritje për zhvillime jonormale sot në Kuvend
- 2014-09-18 08:30:08

Pa i ndryshuar pozicionet e vjetra, deputetët e legjislaturës së pestë sot, nga ora dhjetë, do të bëjnë tentativën e re për ta zgjedhur kryeparlamentarin.

Në vazhdimin e seancës deputetët do të shkojnë të ndarë në dy blloqe: në atë të PDK-së, vetëm të cilit Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën ta propozojë kreun e Kuvendit, por që nuk i ka numrat për ta votuar kandidatin që e propozon; dhe në bllokun LDK-LVV-AAK-Nisma, që e ka shumicën në Kuvend dhe që refuzon ta japë votën për kandidatin e PDK-së.

Nisur nga kjo situatë, vëzhgues të proceseve politike nuk japin shpresë se mund të gjendet zgjidhje në këtë vazhdim seance.
Sociologu Artan Muhaxhiri ka theksuar se rigjiditeti i qëndrimeve kokëforta premton vazhdimësi të bllokadës e jo zgjidhje.
Tentativa e parë për të konstituuar organet e Kuvendit është bërë më 17 korrik.

Suksesin në seancën e sotshme e synojnë të dyja blloqet. Përfaqësues të kampit LDK-LVV-AAK-Nisma të mërkurën kanë zhvilluar konsultat e fundit, por si rëndom në deklaratat e tyre publike nuk kanë shpalosur planin, i cili do ta vinte Isa Mustafën në krye të Kuvendit.

Opozita nuk e ka të sigurt nëse sekretaria e Kuvendit do të jetë pas tyre, në përpjekjen për ta zgjedhur kryekuvendarin.
Tani blloku opozitar nuk do ta ketë mbështetjen e Listës Serbe, e cila në seancën e 17 korrikut kishte votuar Isa Mustafën për kryekuvendar. Ky qëndrim i deputetëve serbë erdhi pas një vizite që ata i bënë të mërkurën Beogradit, të ftuar nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nga shefi i Zyrës Qeveritare për Kosovë, Marko Gjuriq.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.