VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RADIO EVROPA E LIRË - PAS DËSHTIMIT TË ZGJEDHJES SË ARSIM BAJRAMIT NË POSTIN E KTYETARIT, NDËRPRITET SEANCA
Koalicionit paszgjedhor nuk i jepet e drejta për të propozuar kandidatin e saj

E Enjte, 09.18.2014, 10:26am (GMT1)


Kuvendi i Kosovës gjatë seancës së 18 shtatorit...

Menjëherë pas dështimit të zgjedhjes së Arsim Bajramit në postin e kryetarit të Kuvendit, është ndërprerë seanca deri në momentin kur do të ftohen deputetët të vazhdojnë këtë seancë të filluar që nga 17 korriku.


18.09.2014

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish që të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët.

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të kryesuar nga deputetja më e vjetër, Flora Brovina, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka nominuar para deputetëve, Arsim Bajramin e PDK-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, votimi solli si rezultat vetëm 44 vota, të cilat nuk ishin të mjaftueshme. me këtë rast, deputetja Flora Brovina prezantoi rezultatin e votimit dhe ndërpreu seancën.

"Rezultati është ky: Për janë 44, kundër 61 dhe 11 abstenime. Kandidati nuk mori votat e mjaftueshme për t'u shpallur kryetar i Kuvendit. Andaj për shkak të votave të pamuajftueshme të kandidatit të PDK-së, e cila e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë. Deputetët do të njoftohen me shkrim për vazhdimin e seancës konstituive gjatë javës së ardhshme", ka thënë Brovina.

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga PDK-ja dhe deputetja Brovina, pas dështimit të kandidatit të Partisë Demokratike, nuk i është dhënë mundësia që koalicioni paszgjedhor Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje të propozojnë kandidatin e tyre.

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që vazhdimi i seancës të ndodhë shumë shpejt.

Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar disa hapa të koalicionit paszgjedhor, edhe pse nuk ka qartësuar se për çfarë hapash bëhet fjalë.

Kandidat për  kryetar të Kuvendit nga koalicioni i gjerë është lideri i LDK-së Isa Mustafa.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë me këtë rast se pret që seanca të thirret nga fillimi i javës tjetër.

"Seanca u ndërpre në kundërshtim me rregulloren e punës sepse nuk u kërkua deklarim nga grupet parlamentare rreth kësaj ndërprerje. Megjithatë ne e respektuam dhe i bëjmë thirrje kryesueses që seanca e ardhshme të thirret në mënyrë urgjente, në mënyrë që të mos zvarritet tutje ndërtimi i institucioneve. Varësisht zhvillimeve ne i kemi bërë planet për disa skenarë të ndryshëm", ka thënë Osmani.

Për përcjelljen e vazhdimit të seancës konstituive të filluar që nga 17 korriku, kishte interesim të madh jo vetëm nga mediat por edhe nga kori diplomatik në Prishtinë.

Në pjesën e vëzhguesve të seancave të Kuvendit ishin ulur edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe personalitete tjera ndërkombëtare.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.