ATMOSFERË FESTIVE NË SHESHET E TIRANËS - ATI I SHENJTË SHPALLET 'QYTETAR NDERI'
E Djelë, 09.21.2014, 11:17am (GMT+1)
TIRANË, 21 Shtator/ATSH/.- Entuziazëm dhe atmosferë festive si asnjëherë tjetër në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit shqiptar, teksa Papa Françesku përshkon bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe përshëndetet me qytetarët që kanë mbushur sheshet.
Ati i Shenjtë, nga makina e tij e bardhë, përshëndeti dhe bekoi mijëra qytetarë dhe besimtarë që kanë ardhur nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera, për të përshëndetur Papa Françeskun, në këtë vizitë historike në Shqipëri.
Makina e tij ka lëvizur me ngadalë drejt altarit ku do të mbahet Mesha, e përcjellë nga thirrje gëzimi dhe mijëra duar që e fotografonin dhe filmonin pa pushim me celularë.
Emocionues ishte veçanërisht momenti kur Ati i Shenjtë ndaloi makinën dhe bekoi dy fëmijë që ndodheshin mes turmës së njerëzve në sheshin "Nënë Tereza", ku Papa Françesku do të mbajë edhe Meshën e Shenjtë.Papa Francesku duke pershendetur qytetaret Foto Albert Myftaraj
Pamjet madhështore ku qindra e mijëra besimtarë, pa dallim feje e kombësie janë mbledhur për të pritur Atin e Shenjtë, e kanë shndërruar sot Tiranën në kryeqendrën katolike të botës.
Një tjetër moment i rëndësishëm në ceremonialin për pritjen e Papës ishte edhe nderimi i Atit të Shenjtë me titullin "Qytetar Nderi i Tiranës" nga Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili i dorëzoi Atit të Shenjtë edhe "Çelësin e Tiranës".
www.voal-online.ch
|