VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ATI I SHENJTË I DREJTOHET TË RINJVE:"JO" IDOLATRISË TË PARASË "JO" LIRISË TË RREMË INDIVIDUALISTE - "PO" BUKURISË SË PANDASHME NGA E MIRA DHE E VËRTETA

E Djelë, 09.21.2014, 12:19pm (GMT1)



Voal - Ati i Shenjtë ju drejtua posaçërisht rinisë shqiptare në përfundimin e Meshës të Shenjtë mbajtur në Sheshin Nënë Tereza. Shqipëria vendi me moshë më të re në Europë, vuri në dukje Ai në mes të një pjesmarrje rreth 250 mijë vetësh, ndërsa miliona të tjerë janë duke e ndjekur përmes televizioneve, gazetarisë online dhe komunitetit të mediumeve sociale.

Ati i Shenjtë i tha rinisë shqiptare: "Ju jeni gjenerata e re, e paqes"

"Të dashur vëllezër e motra,para se ta përfundoj këtë Kremtim, dëshiroj të përshëndes të gjithë ju, që keni ardhur në Shqipëri nga vendet fqinje.

Ju falenderoj për praninë e për dëshminë e fesë suaj.

Në veçanti, ju drejtohem ju të rinjve! Ju ftoj ta ndërtoni jetën mbi Jezu Krishtin: kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është gjithnjë besnik, edhe kur ne e shkelim besën (shih 2 Tm 2,13). Jezusi na njeh më mirë se askush tjetër; kur gabojmë, nuk na dënon, por na thotë: "Shko, por tani e tutje mos mëkato më" (Gjn 8,11).

Të dashur të rinj, ju jeni brezi i ri i Shqipërisë. Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t'i thoni "jo" idhujtarisë së parasë, "jo" lirisë së rreme individualiste, "jo" varësive e dhunës; e t'i thoni "po" kulturës së takimit e të solidaritetit, "po" bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta; "po" jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë.

Po i drejtohemi tani Virgjërës Nënë, që e nderoni sidomos me titullin "Zoja e Këshillit të Mirë". Nisem shpirtërisht për në Shenjtoren e saj në Shkodër, që e doni aq shumë, e ia besoj gjithë Kishën në Shqipëri e mbarë popullin shqiptar, në veçanti, familjet, fëmijët e të moshuarit. Zoja ju priftë për të ecur "së bashku me Zotin, drejt shpresës që nuk zhgënjen".
Engjëlli i Tënzot...




Teksti vjen nga faqja e internetit http://sq.radiovaticana.va/news/2014/09/21/udh%C3%ABtimi_apostolik_n%C3%AB_shqip%C3%ABri:_engj%C3%ABlli_i_t%C3%ABnzot__(tekst_i_plot%C3%AB)/alb-826331
Radio Vatikani

WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.