VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBYLLET HETIMI - VDEKJA E DEPUTETIT OLLDASHI ISHTE AKSIDENT

E Hënë, 09.22.2014, 12:09pm (GMT1)



TIRANE - "Panorama" shkruan sot se ka përfunduar hetimi i Prokurorisë për aksidentin e rëndë në të cilin gjeti vdekjen deputeti Sokol Olldashi. Sipas hetimeve, vdekja ka qenë aksidentale.

Dhjetë muaj pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi më 20 nëntor 2013, në rrugën dytësore Tiranë Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë Lapidarit, prokuroria u ka dhënë fund veprimeve të saj hetimore. Për dhjetë muaj me radhë, organi i akuzës ka kryer të gjitha ekspertizat dhe ekzaminimet shkencore të nevojshme dhe ka marrë në pyetje më tepër se 45 persona në cilësinë e dëshmitarëve.

Hetimi mësohet se është mbajtur kaq gjatë pasi prokuroria ka pritur kryerjen e të gjitha verifikimeve të nevojshme për të pasur një konkluzion shkencor mbi aksidentin e rëndë. Deputeti Sokol Olldashi humbi jetën pasi makina e tij tip "Mercedes-Benz", me targë AA 003 NH, doli nga rruga në një kthesë të fortë në dishezë dhe u rrokullis disa metra.

Biseda e fundit e Olldashit ka qenë pak sekonda para daljes së makinës nga rruga, sapo kishte kaluar Tunelin e Krrabës. Pikërisht ky moment i fundit në jetë i deputetit Sokol Olldashi kishte mbetur pa u verifikuar në mënyrë shkencore.

Shoferi i tij ka shpjeguar për hetuesin që ka qenë duke biseduar me Olldashin teksa deputeti i ka thënë se sapo kishte dalë nga tuneli dhe po lëvizte drejt Tiranës. Gjatë komunikimit në telefon në një moment ka pasur zhurma dhe më pas biseda është ndërprerë. Ky besohet se ka qenë momenti i aksidentit ku mjeti ka dalë nga rruga dhe deputeti ka humbur jetën. Pikërisht këtë moment, Prokuroria e Tiranës ka arritur ta zbardhi e ta konfirmoj me anë të tabulateve telefonike dhe të dhënave shkencore për vendodhjen e dy personave.

Sipas burimeve të akuzës, nga të dhënat e kompanive celulare, ka rezultuar se dëshmia e dhënë nga shoferi i deputetit ka qenë e saktë. Informacionet e dhëna javën e fundit nga kompanitë celulare kanë konfirmuar vendodhjen e Olldashit, por edhe të shoferit të tij në kohën kur ka ndodhur biseda e fundit.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e deputetit Sokol Olldashi është konstatuar traumë e rëndë kafkotrunore, karakterizuar nga thyerje të shumta të kockave të kokës e shoqëruar me mungesë të indit kockor, konfuzion (shembje) e rëndë e trurit e shoqëruar me mungesë të indit trunor. Sipas ekspertizës këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse, karakteristikë edhe për traumat automobilistike.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.