VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHBA SHOHIN PËRMIRËSIM TË KLIMËS SË BIZNESIT NË SHQIPËRI

E Martë, 09.23.2014, 08:04am (GMT1)



Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Henry Jardin, deklaroi të hënën në mbrëmje se Ambasada mbështet Dhomën Amerikane të Tregtisë në Tiranë (AmCham) në misionin e saj avokatues.

Diplomati amerikan, i cili mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në kuadër të 14-vjetorit të AmCham-it në Shqipëri, tha se klima e biznesit kishte përmirësim gjatë vitit të fundit dhe kjo ishte konstatuar nga anëtarët e Dhomës Amerikane. Ai vlerësoi po ashtu rolin e kësaj organizate tregtie, që sipas tij, shëben si avokat i biznesit në dialogun e tyre me qeverinë. Po ashtu, Jardin tha se AmCham po bashkëpunonte me simotrat e saj në rajon për të nxitur bashkëpunimin rajonal.

Edhe për Presidentin e AmCham-it, Mark Crawford, klima e biznesit në vend ka njohur përmirësim dhe se qeveria ka punuar për rimbursimin e TVSH-së apo uljen e informaliteti, megjithëse mbetet sipas tij, ende punë.

Ai theksoi po ashtu se dialogu me ministrinë e Financave sa i takon paketës fiskale që qeveria pritet të zbatojë, duke nisur nga fillimi i vitit 2015, ka qënë konstruktiv dhe se qeveria i kishte marrë parasysh disa prej kërkesave dhe sygjerimeve të AmCham-it. Crawford në emër të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë i kërkoi qeverisë të mos rriste tatimet gjatë vitit që vjen, pasi sipas tij, kjo do të bënte vendin më pak konkurues dhe shumë investitorë të huaj mund të kërkonin për politika fiskale më favorizuese në rajon.

Po ashtu, Crawford kritikoi politikën tatimore të ndjekur deri tani. Sipas tij, bizneset kanë reaguar. Ai bëri të ditur se këtë javë do të niste një udhëtim në SHBA, së bashku me Presidentin Bujar Nishani dhe Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ku në fokus të takimeve do të ishte promovimi i resurseve shqiptare në Amerikë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.