VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EULEX NË KËRKIM TË TË AKUZUARVE PËR VRASJEN E POLICIT ENVER ZYMBERI

E Mërkurë, 09.24.2014, 02:21pm (GMT1)



Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dështoi sot të ekzekutojë një urdhër arresti në veriun e Kosovës për kapjen e një të akuzuari për vrasje.  

Në një njoftim të këtij misioni thuhet se ishte vënë në kërkim të Radomir Kasaloviçit që akuzohet për veprat penale: "vrasje, tentim vrasje, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare".

Akuzat për vrasje kanë të bëjnë me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës Enver Zymberi më 26 korrik 2011 dhe sulmin mbi autokolonën e policisë më të cilin po udhëtonte ai në kohen kur u vra.

Për përfshirjen në vrasjen e tij akuzohen edhe kryetari aktual i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviç, ish kryetari paralel i kësaj komune SlaviÅ¡a Ristiç, për të cilët thuhet se janë në arrati, si dhe tre pjesëtarë të tjerë të komunitetit serb që ndodhen në paraburgim.

Enver Zymberi, pjesëtar i njësisë së posaçme të policisë së Kosovës u vra në një pritë në afërsi të Zubin Potokut, gjatë një operacioni për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Pas vrasjes ai u shpall hero i Kosovës me dekret të posaçëm të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.