E Premte, 03.29.2024, 01:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
Fjala në sheshin e Shën Pjetrit
ORËT E EMOCIONIT SHQIPTAR
Nga PAPA FRANÇESKU

E Enjte, 09.25.2014, 07:39am (GMT+1)


Të dashur vëllezër e motra, Sot dua t'ju flas për Udhëtimin Apostolik, që bëra në Shqipëri, të dielën e kaluar. E bëj këtë, së pari, si akt falenderimi për Zotin, i cili ma mundësoi këtë Vizitë për të treguar, edhe fizikisht e në mënyrë të prekshme, afërsinë time e të gjithë Kishës me këtë popull. Dëshiroj pastaj, të përtërij mirënjohjen time vëllazërore për Ipeshkvijtë shqiptarë, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, që punojnë me kaq impenjim. Mendimi im plot mirënjohje shkon edhe tek autoritetet, që më pritën me kaq shumë dashamirësi, si edhe tek të gjithë ata, që punuan për realizimin e vizitës.

Kjo vizitë lindi nga dëshira për të shkuar në një vend që, pasi u shtyp për një kohë të gjatë nga një regjim ateist e çnjerëzor, po përjeton përvojën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve. M'u duk shumë e rëndësishme ta inkurajoj në këtë udhë, që ta vazhdojë me këmbëngulje e të thellohet në të gjitha aspektet, për të mirën e përbashkët. Për këtë, në qendër të udhëtimit, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësinë të shoh me kënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm mund të dëshirohet, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë.

Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t'i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvlerësuar identitetin e secilit.

Takimi me meshtarët, me njerëzit e shuguruar, me seminaristët e me lëvizjet laikale, qe rasti për të kujtuar me mirënjohje, me çaste përmallimi të madh, martirët e shumtë të fesë.

Falë pranisë së disa të moshuarve, që i kanë jetuar në trupin e tyre persekutimet e tmerrshme, rijehoi feja e sa e sa dëshmitarëve heroikë të së kaluarës, të cilët e ndoqën Krishtin deri në pasojat më ekstreme. E pikërisht nga bashkimi intim me Jezusin, nga marrëdhëniet e dashurisë me Të, për këta martirë - si për çdo martir - lindi forca për të përballuar ngjarjet e dhimbshme, që i çuan drejt martirizimit.

Edhe sot, ashtu si dje, forca e Kishës nuk qëndron aq në aftësitë organizuese ose në struktura, të cilat, gjithsesi, janë të nevojshme, por Kisha nuk e gjen forcën e vet aty. Forca jonë është dashuria e Krishtit! Një forcë, që na mban në çastet e vështira e që frymëzon veprimin e sotëm apostolik për të dhuruar mirësi e falje, duke dëshmuar kështu mëshirën e Zotit.

Duke përshkuar udhët kryesore të Tiranës, që nga aeroporti çon në sheshin qendror, munda të shoh portretet e dyzet meshtarëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste, për të cilët është nisur çështja e lumnimit. Këta u shtohen qindra rregulltarëve të krishterë e myslimanë, vrarë, torturuar e internuar vetëm sepse besonin në Zotin.

Kanë qenë vite të errëta, gjatë të cilave u bë rrafsh me tokën liria fetare e ishte e ndaluar të besoje në Zotin, mijëra kisha e xhami u shkatërruan, u shndërruan në magazina e kinema, që përhapnin ideologjinë marksiste, librat fetarë u dogjën e prindërve nuk iu lejua t'u vinin fëmijëve emrat fetarë të paraardhësve. Kujtimi i këtyre ngjarjeve dramatike është thelbësor për të ardhmen e një populli.

Kujtimi i martirëve që rezistuan me fe është garanci për fatet e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre nuk është derdhur kot, por është farë, që do të sjellë fryte paqeje dhe bashkëpunimi vëllazëror. Vërtet, sot, Shqipëria është shembull, jo vetëm për rilindjen e Kishës, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve.

Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon popullin e vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese.

Këtë mesazh shprese, bazuar në fenë në Krishtin e në kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës.

I inkurajova të gjithë të marrin energji gjithnjë të reja nga Hyji i ringjallur, për të qenë tharmi ungjillor në shoqëri e për t'u impenjuar, siç po ndodh tashmë, në veprimtari bamirëse e edukative.

Falenderoj edhe një herë Zotin, sepse, me këtë Udhëtim, më dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes.

Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë.

Ia besoj frytet e vizitës sime Zojës së Këshillit të Mirë, që nderohet në Shenjtëroren me të njëjtin emër në Shkodër, që Ajo të vazhdojë ta udhëheqë këtë popull-martir në udhën e tij.

Përvoja e vështirë e së kaluarës thelloftë gjithnjë e më shumë hapjen ndaj vëllezërve, sidomos ndaj më të brishtëve, dhe e bëftë gjithnjë e më shumë protagonist të atij dinamizmi të bamirësisë, kaq të nevojshëm në kontekstin e sotëm shoqëroro-kulturor.
Do të doja që të gjithë ne të përshëndesim këtë popull të guximshëm, punëtor, që në paqe, kërkon bashkimin.

PAPA FRANÇESKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DEPARTAMENTI I SHTETIT PUBLIKON LISTËN E TERRORISTËVE (09.25.2014)
KOALICIONI POSTZGJEDHOR PARALAJMËRON BOJKOT, NËSE ZGJEDHJET SHIHEN SI ZGJIDHJE (09.24.2014)
EULEX NË KËRKIM TË TË AKUZUARVE PËR VRASJEN E POLICIT ENVER ZYMBERI (09.24.2014)
AMBASADORI GJERMAN - KORRUPSIONI S'LUFTOHET ME KONFERENCA, KUJDES DHURATAT (09.24.2014)
PAPA NË VATIKAN - SHQIPËRIA SHEMBULL PËR RILINDJEN E KISHËS (09.24.2014)
SHQIPËRI - JANË SHKATËRRUAR 102 TONË DROGË (09.24.2014)
DAVID KANTOZI, HEBRE I LINDUR NË SHQIPËRI, KANDIDON PËR GUVERNATOR TË BANKËS QENDRORE - JAM KRENAR, NËSE ZGJIDHEM (09.24.2014)
TAHIRI - ME AKSIONET KUNDËR DROGËS IA HOQËM KRIMIT NGA DUART 6,4 MILIARDË EURO (09.24.2014)
'GRUSHT I THATË' NË PARLAMENT - VIDEOJA QË TREGON NDOKËN DHE NDREUN DUKE GODITUR STRAZIMIRIN (09.24.2014)
EKSPERTËT - PDK MUND TË LARGOHET PËRFUNDIMISHT VETËM NËPËRMJET ZGJEDHJEVE TË JASHTËZAKONSHME NË TETOR (09.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart�]