VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHPËRBLEHET FSHATI ME SHUMICË MYSLIMANE QË NDËRTOI KISHËN PËR KOMUNITETIN PAKICË KATOLIKE

E Hënë, 09.29.2014, 06:34pm (GMT1)

Deri pak kohë më parë, fshati Malbardhë i Laçit njihej pak ose aspak e megjithatë një reportazh i ciklit "Shqipëria Tjetër" ka sjellë një shembull bashkëjetese që bëri xhiron e botës.

Një fshat me mbi 95 për qind myslimanë ka kontribuar së bashku me komunitetin katolik, pakicë, në ndërtimin e një kishe mbi themelet e asaj të vjetrës.

Pas publikimit në Top Channel në shkurt të këtij viti, mediat franceze, italiane, gjermane, amerikane, arabe, aziatike etj publikuan këtë rast që simbolizon bashkëjetesën mes besimeve në Shqipëri, duke bërë që sot Malbardha të gjendet në arkivat e disa ndër gazetave më të mëdha të botës.

Me këtë rast, Ambasada Amerikane i ka akorduar për herë të parë një fshati çmimin "Act Now" për bashkëjetesën shembullore fetare.

I ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Henry Jardine i dorëzoi çmimin e Kampionëve të "Vepro TANI!" për muajin shtator komunës Malbardhë, për bashkëpunimin e tyre ndërfetar dhe iniciativën vullnetare për të ndërtuar një vend besimi gjithëpërfshirës.

Ambasada Amerikane ka zgjedhur ditën e festës së Shën Mëhillit, festë e krishtere e që festohet nga e gjithë zona. Në pritje kanë marrë pjesë, veç zyrtarëve të Ambasadës së SHBA-ve, krerëve lokalë, edhe përfaqësues të komunitetit mysliman e atij katolik të zonës.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.