VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BROVINA KËRKON SHTYRJEN E SEANCËS SË NESËRME, VLAN NUK KA PRANUAR

E Mërkurë, 10.01.2014, 06:09pm (GMT1)


Ka qenë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi ai që ka postuar në profilin e tij zyrtar në Facebook, kërkesën me nënshkrimin e kryesueses Flora Brovina, për shtyrjen e Seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka kritikuar deputeten më të vjetër të legjislaturës së V-të, që jashtë orarit zyrtar thërret sekretarin e Kuvendit dhe e informon me kërkesën për shtyrje të seancës.
"Sekretari nuk e shqyrton kërkesën, por e miraton pavarësisht që nuk jepen arsye për shtyrjen e seancës", ka thënë Vraniqi.

"Duke u bazuar në rolin kushtetues të Presidentës së Republikës së Kosovës, për garantimin e funksionimit demokratik të insitutocioneve dhe fillimin e lehtësimit të procesit të arritjes së marrëveshjes politike me liderët e partive politike. Me qëllim të krijimit të hapësirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale konsideroj të nevojshme dhe të domosdoshme shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, në mënyrë që seanca të përfundojë me sukses. Kërkoj mirëkuptim nga deputetët për shtyrjen e seancës në këtë moment delikat për tërë vendin", thuhet në kërkesën që mban firmën e kryesueses Brovina.kd

--

E konfirmuar: Brovina ka kërkuar shtyrjen e Seancës

- 2014-10-01 18:24:30

Vetëm pak orë pasi që ka zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës njoftoi se nesër, në orën dhjetë, do të vazhdojë seanca konstituive e legjislaturës së pestë, sekretari i institucionit më të lartë të legjislativit në vend, Ismet Krasniqi, është detyruar që të demantojë këtë gjë.

Në një prononcim të shkurtër për "Kohën Ditore", sekretari Krasniqi ka konfirmuar shtyrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës.

"Kryesuesja ka njoftuar me shkrim se seanca e nesërme shtyhet", ka thënë sekretari Ismet Kransiqi, përcjell koha.net.

--

VLAN nuk sheh arsye për shtyrje të seancës siç kërkoi Brovina
- 2014-10-01 18:15:56

Jozyrtarisht mësohet se kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka dërguar kërkesë tek sekretariati i Kuvendit me anë të së cilës ka kërkuar që të shtyhet seanca konstituive e planifikuar të mbahet të enjten më 2 tetor.

Portali Koha.net ka provuar që të kontaktojë edhe me kryesuesen Flora Brovina, por edhe me sekretarin e Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqin por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Në anën tjetër, një deputet nga blloku LDK-AAK-Nisma ka thënë për portalin se ka një kërkesë për shtyrje të seancës.

"Ne nuk kemi pranuar ndonjë gjë zyrtarisht, por me sa dim ka një kërkesë për shtyrje të seancës", ka thënë ky deputet, që ka dashur të mbetet anonim. "Natyrisht se ne jemi kundër kësaj shtyrje, ngase një gjë e tillë është totalisht e panevojshme", ka thënë ky deputet.

Mësohet se arsyeja për shtyrjen e seancës, është bërë në mënyrë që partitë të kenë në dispozicion kohë të mjaftueshme për gjetjen e një konsensusi drejt themelimit të institucioneve të reja.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se partitë e koalicionit LAN-VV janë kundër shtyrjes së seancës konstituive e cila është paraparë të mbahet më 2 tetor.

"LDK-ja kundërshton kërkesën për shtyrjen e seancës. PDK-së po i konvenon që të blejë kohë, ndërkaq pjesa tjetër e jona jemi të bashkuar dhe kemi votat për të krijuar institucionet. Ne i bëjmë thirrje Flora Brovinës që të mos e bëjë një kërkesë e tillë për shtyrje. LAN dhe VV mendojmë se duhet të shkohet nesër në seancë", ka thënë Osmani në një paraqitje televizive.

Ndërkohë, pas përfundimit të sotëm të takimeve në mes të përfaqësueseve të PDK-së dhe Bllokut LAN dhe VV dhe Presidentes Atifete Jahjaga, kjo e fundit ka njoftuar se deri më tani nuk është arritur ndonjë zgjidhje, dhe se ka bërë të ditur se takimet e këtij lloji do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Brenda orarit të punës, Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës njoftoi se nesër, në orën dhjetë, do të vazhdojë seanca konstituive e legjislaturës së pestë. Në rend të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.kd
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.