VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VLAN I KA MBLEDHUR NËNSHKRIMET - SEANCA VAZHDON NË MESIN E JAVËS SË ARDHSHME

E Enjte, 10.02.2014, 04:41pm (GMT1)


Deputetët e bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosjes kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të kuvendit.

Madje, ky bllok është në përfundim të mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila sipas bllokut duhet të thirret në mesin e javës së ardhshme.

Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, i ka bërë thirrje PDK-së që të pranojë se shumica i formon institucionet. Sipas saj, në seancë do të sqarohet se cilat do të jenë veprimet konkrete të deputetëve duke shtuar se shumica parlamentare është ajo që vendos për institucionet.

Osmani, tha se me faktin që flora Brovina po e bllokon vazhdimin e seancës po shkel edhe detyrimin që ia ka përcaktuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, madje siç pohoi ajo Kushtetuta sqaron se me 40 nënshkrime deputetët mund ta thërrasin seancën e jashtëzakonshme.

"Neni 66 i Kushtetutës po ashtu flet edhe për mundësinë që Kuvendi të mblidhet vet dhe po ashtu e njëjta Kushtetutë sqaron se më 40 nënshkrime deputetët mund të thërrasin seancë të jashtëzakonshme. Unë mendoj që bllokada institucionale që PDK-ja po e bënë që u dëshmua edhe sot vërtetë e krijon atë rrethanë të jashtëzakonshme që na lejon neve me 40 nënshkrime ta thërrasim vazhdimin e seancës. Deputetët lejohen të mblidhen në qoftë se i bëjnë 40 nënshkrime, mund ta quani ose vazhdim ose çka do tjetër neve na lejohet të mblidhemi përderisa i kemi 40 nënshkrime dhe përderisa më shumë se 61 deputetë janë në sallë, na lejohet të marrim edhe vendime përderisa e kemi atë kuorum", ka thënë ajo.

E Ismet Beqiri po nga kjo parti, tha se shtyrja e seancës është bërë në mënyrë arbitrare.

"Ky është një abuzim i skajshëm që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese në këtë rast. Ajo po e refuzon një obligim që tash e ka edhe me Gjykatë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo sigurisht në infinit dhe në paskajshëmri nëse mund të thuhet ose pastaj nuk mund të tolerohet..... Është e qartë që nuk po e bënë Flora Brovina është ekzekutore, ndërkaq po e bënë PDK-ja gjegjësisht Hashim Thaqi", ka thënë ai.

Beqiri tha se kryesuesja mund të zëvendësohet, por se sipas tij fillimisht mbledhja e nënshkrimeve është vetëm për vazhdimin e seancës në javën e ardhshme.

"Kryesuesja nuk është zgjedh dhe këto terminologji nganjëherë të shkarkimit ajo mund të zëvendësohet edhe është e paraparë që mund të zëvendësohet edhe nëse vazhdon kësi soji sigurisht tjetër rrugë nuk ka .... Ne kemi kërkuar gjegjësisht do të kërkojmë më shkrim që seanca të vazhdon javën e ardhshme, seanca konstituive për hapat tjerë me kohë ju informojmë", ka shtuar Beqiri.

Ndryshe, sipas Beqirit, tashmë janë mbledhë mbi 60 nënshkrime të deputetëtve, me anë të së cilave kërkojnë që seanca të mbahet në mesin e javës së ardhshme.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.