VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MPJ E SHQIPËRISË I BËN THIRRJE UDHËHEQËSAVE TË SERBISË TË DËNOJNË AKTET ANTISHQIPTARE

E Enjte, 10.16.2014, 06:37pm (GMT1)


Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i ka dorëzuar ambasadorit serb Miroljub Zaric, notën e protestës së qeverisë Shqiptare lidhur me ngjarjet në stadiumin e Beogradit. MPJ thekson se qeveria shqiptare hedh poshtë me vendosmëri baltosjen politike të ndërmarrë nga udhëheqësit kryesorë të Serbisë kundër popullit dhe shtetit shqiptar.

"Deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë bien ndesh me etikën më bazike të marrëdhënieve diplomatike dhe reciprocitetin e mirësjelljes, vetëpërmbajtjes dhe respektit midis shteteve sovrane. Për më tepër, ato nuk dëshmojnë lartësinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Ftojmë udhëheqësit e lartë të Serbisë të kthjellohen dhe të tregojnë maturi duke dënuar aktet antishqiptare që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, si bllokimin në aeroportin e Beogradit të gazetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë që shoqëronin ekipin kombëtar, djegien e flamurit shqiptar në stadium, thirrjet për 40 minuta për vrasjen e shqiptarëve dhe dhunën patologjike të ushtruar mbi sportistët e kombëtares shqiptare."- thekson MPJ.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, "historia e vjetër dhe e re e Ballkanit nuk e njeh Shqipërinë si destabilizuese e rajonit dhe as si agresore kundër popujve liridashës, që kërkojnë pavarësi. Shqipëria nuk është përgjegjëse për faktin se e kaluara mund të rëndojë në ndërgjegjen dhe gjendjen emotive të zyrtarëve të lartë serbë".

Më herët, shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati në fjalën e mbajtur në Parlament, kërkoi nga autoritet serbe që të tërheqin deklaratat fyese ndaj kombit shqiptar dhe hetim të plotë të dhunës së shfaqur në stadiumin e Beogradit.

Ministria e Jashtme siguron se Shqipëria do të vijojë të luajë rolin konstruktiv si faktor stabiliteti në rajon, ndërkohë që deputetë të shumicës kërkuan që të mbrohet dinjiteti i kombëtares dhe kombit shqiptar. 

"Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, ndjek besnikërisht politikën e bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit demokratik në rajon, sepse i përmbahet pikëpamjes se integrimi euroatlantik është rruga e përbashkët e popujve dhe shteteve në rajonin tonë. Falë perspektivës Europiane, sot kemi mundësinë të ndërtojmë një rajon ku mbizotëron paqja dhe prosperiteti, jo ndasitë dhe ksenofobia."- nënvizon MPJ.

INCIDENTI NE STADIUM
 
Ndeshja e shumëpërfolur mes Serbisë dhe Shqipërisë degjeneroi në dhunë mbrëmjen e së martës në stadiumin "Partizani" në Beograd. Futbollistët e kombëtares shqiptare u goditën nga persona të jashtëm brenda në fushën e lojës dhe për pasojë takimi është ndërprerë në minutën e 41-të. Fillimisht tifozët serbë kanë hedhur në fushë tymuese dhe flakadanë, duke dhënë sinjalet e para që nuk do të ishte thjesht një ndeshje futbolli. Më pas ka ardhur shpikja më e fundit e teknologjisë, teksa një mjet fluturues ka shpalosur një flamur të Shqipërisë së Madhe, me mbishkrimin "Autoktonë".

Në momentin që njëri nga futbollistët serbë e ka ulur me forcë, Lila dhe Xhaka kanë vrapuar në mënyrë që të merrnin simbolin shqiptar, por futbollistët serbë kanë sulmuar kuqezinjtë tanë. Por sikur mos mjaftonte kjo, tifozë serbë goditën futbollistët e Shqipërisë. Gjyqtari urdhëroi të dyja skuadrat të futen në dhomat e zhveshjes

WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.