VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SENATORI AMERIKAN CHRIS MURPHY NË PRISHTINË

E Shtunë, 10.18.2014, 07:13am (GMT1)


Senatori Murphy takoi presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga e cila e njoftoi atë me sfidat e vendit. Vizita e tij është "shkurtuar" për shkak të bllokadës politike në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të premten se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duhet të kushtëzohet me përparimin e saj drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Kosovën.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me anëtarin e komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, senatorin nga Connecticut, Chris Murphy, që po qëndron në Prishtinë.

Në një njoftim të zyrës së presidentes Jahjaga, thuhet se ajo e vlerësoi lart rolin e qeverisë amerikane, të Senatit dhe të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe theksoi se "të arriturat e Kosovës në 6 vjetët e pavarësisë së saj janë ngushtë të lidhura me angazhimin dhe përkrahjen e fuqishme amerikane, ashtu siç kanë qenë të lidhura edhe me lirinë dhe paqen që sot gëzojnë qytetarët e vendit".

Presidentja Jahjaga tha se Kosova si shtet i ri dhe gjithëpërfshirës po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme, përfaqësimin e saj ndërkombëtar dhe është shndërruar në një faktor të paqes e qëndrueshmërisë dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Republikën e Serbisë.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Serbinë, si mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të hapur rrugën e integrimeve me BE-në. Presidentja Jahjaga theksoi se "rezultatet e dialogut mund të gjykohen vetëm përmes përmbushjes së plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura përgjatë procesit të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE duhet të kushtëzohet me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel".

Ajo i tha senatorit Murphy, që erdhi në Prishtinë nga Beogradi se Kosova është e interesuar që të përmbyllë këtë proces me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, me qëllim që të dyja vendet të ecin drejt BE-së në rrugët e tyre individuale, sepse BE-ja për Kosovën dhe njëkohësisht edhe për vendet e rajonit nuk ka alternativë.

Presidentja Jahjaga, thuhet në komunikatë, e njoftoi senatorin Murphy edhe me zhvillimet aktuale, me theks të posaçëm për nyjën institucionale, duke theksuar se Kosova ka mbajtur zgjedhje të mira, të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse. Ajo tha se Kosova ka treguar deri tani pjekuri politike dhe respektim të kuadrit kushtetues por situata e krijuar tani po i dëmton interesat e Kosovës edhe brenda edhe në skenën ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga tha se në rolin e lehtësuesit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare ka filluar takimet me liderët për të gjetur zgjidhjen për institucionet e qëndrueshme, dhe se ua ka bërë me dije pozitën në të cilën sot ndodhet Kosova dhe gjithsesi edhe detyrimet që ka vendi.

Më herët gjatë javës, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha se një vizitë e nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara është anuluar dhe një tjetër është shkurtuar për shkak të ngecjes politike në Kosovë ku ende nuk janë formuar institucionet e dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetë qershorit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.