VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MINISTRIA E JASHTME E SHQIPËRISË - DJEGIA E FLAMURIT NË BEOGRAD, AKT I SHËMTUAR, KLASA POLITIKE SERBE TË DISTANCOHET

E Djelë, 10.19.2014, 09:30am (GMT1)


TIRANE Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë djegien e flamurit shqiptar gjatë ndeshjes Partizani-Ylli i Kuq, mbrëmjen e së shtunës në Beograd.

"Djegia e flamurit akt i shëmtuar dhe përdhosje. Uliganizmi i tifozëve serbë dhe urrejtja ndaj simboleve të shqiptarëve u shpreh sërish në Beograd, në një ndeshje që nuk kishte të bënte aspak me Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë ndeshjes u përsëriten akte të shëmtuara antishqiptare, ku tifozeria serbe veç djegies së flamurit shpërtheu në fyerje të rënda ndaj shqiptarëve."- thekson MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje autoriteteve serbe të vendosin para drejtësisë përgjegjësit e këtyre akteve. Sipas MPJ-së, "klasa politike serbe duhet të ngrihet në lartësinë e duhur dhe të distancohet qartë nga akte të tilla që po arrijnë përmasa të pamenaxhueshme. Këto akte janë të rënda për të ardhmen dhe stabilitetin e Ballkanit".

Huliganët serbë dogjën flamurin kombëtar shqiptar gjatë ndeshjes Partizani-Ylli i Kuq, ku tifozët serbë dhanë një tjetër mesazh urrejtjeje për Shqipërinë. Po ky nuk ishte incidenti i vetëm. Edhe parulla "Kosova është Serbi" ka bërë bashkë tifozët kundërshtarë të Partizanit dhe Cërvena Zvdës (Ylli i Kuq) në Beograd, gjatë derbit që u zhvillua në mbrëmje në kryeqytetin serb. Parulla e madhe me përmbajtje nacionaliste ra në sy që në fillim të ndeshjes, e vendosur në shkallët e stadiumit, duke dëshmuar edhe njëherë se "˜makthi' i serbëve mbetet Kosova. Kjo parullë pasonte ato që u hodhën të martën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, mes të cilave edhe koret raciste "Vritini dhe mbytini shqiptaret!".
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.