VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI I REPUBLIKËS BUJAR NISHANI TAKOHET ME SENATORIN CHRIS MURPHY

E Djelë, 10.19.2014, 01:25pm (GMT1)

19 tetor 2014

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim Senatorin amerikan Chris Murphy, me të cilin bisedoi për çështje të bashkëpunimit dypalësh, bashkëpunimit rajonal dhe sfidat e sigurisë në shkallë globale.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përcolli mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë qëndruar pranë Shqipërisë në procesin e vështirë të transformimit demokratik dhe në rrugën e integrimit tonë euroatlantik, duke shtuar se Shqipëria ka angazhimin e plotë për të thelluar reformat me qëllim konsolidimin e shtetit ligjor dhe forcimin e demokracisë sipas standardeve evropiane.

Duke folur për zhvillimet rajonale, Presidenti vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në funksion të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon, duke veçuar njohjen dhe mbështetjen e Kosovës së pavarur si një kontribut të provuar në kuadër të kësaj qasjeje. Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu se Shqipëria mbështet plotësisht zgjerimin e NATO-s në rajon, si një politikë në shërbim të interesave të rajonit dhe të vetë Aleancës, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë.

Në lidhje me situatën në Siri dhe Irak, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria po kontribuon përkrah partnerëve tanë në kuadër të koalicionit kundër terrorizmit, si edhe po merr masa për të luftuar dhe parandaluar fenomenin e luftëtarëve të huaj në luftimet në Siri dhe Irak.

Senatori Murphy tregoi interes për ecurinë e reformave demokratike ne vend, vlerësoi politikën moderatore rajonale të Shqipërisë dhe rolin e saj aktiv në luftën kundër ekstremistëve në Irak dhe Siri.

Presidenti Nishani dhe Senatori Murphy shkëmbyen mendime për mundësinë e rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri./president.al

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.