VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHTYHET VIZITA E KRYEMINISTRIT RAMA NË BEOGRAD

E Djelë, 10.19.2014, 05:53pm (GMT1)



Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, e paraparë të zhvillohej më 22 tetor, është shtyrë për datën 10 nëntor.

Konfirmimi për shtyrjen e vizitës u bë përmes një njoftimi për media nga zyra për shtyp e kryeministrisë shqiptare.

Bëhet e ditur gjithashtu se deri te vendimi për shtyrjen e vizitës erdhi pas një bisede telefonike mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij serb, Aleksander Vuçiq.

"Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, patën këtë pasdite një bisedë telefonike. Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi - Shqipëri ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t'u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve. Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Evropës si e tërë. Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor", sqarohet nga zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Më herët vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd ishte parashikuar të zhvillohej në 22 tetor por incidenti që ndodhi në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd në 14 tetor ndryshoi axhendën.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.