VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HULIGANËT SULMOJNË TË RIUN SHQIPTAR NË SHKUP

E Djelë, 10.19.2014, 06:48pm (GMT1)


Disa huliganë kanë sulmuar mbrëmë të riun shqiptar nga Çairi, derisa ky i fundit po priste autobusin në lagjen Karposh në afërsi të qendrës tregtare "City Mall".

Viktima Adnan Shabani, 18 vjeçar, thotë se sulmi ndaj tij ka nisur pasi huliganët e kanë kuptuar identitetin e tij dhe njëri prej tyre e ka goditur me shkop bejsbolli në fytyre dhe më pas në kokë duke i shkaktuar plagë serioze, njofton Alsat-M.

"Më pyetën se çka je, u tregova se jam shqiptar. Më than "mirë"! U largua i pari dhe nga ana tjetër më ka ardhur një goditje në fytyrë, më ka goditur dhe kam rënë. Pastaj prapë më kanë goditur në kokë dhe jam rrëzuar për tokë. Kanë filluar të më godasin nga trupi, rreth 7-8 veta dhe më pastaj nuk mbaj mend. Kam dhimbje në fytyrë, në qafë, dhëmbët gjithashtu, buzët dhe hunda dhe gjithë ekstremitetet e trupit. Më së shumti më dhemb koka dhe më çon të vjellë dhe më merret mendja shumë", tha i rrahuri Adnan Shabani.

Shabani nuk e përjashton mundësinë që sulmi i mbrëmshëm të jetë vepër e tifozëve që kishin dalë nga përballja në hendboll në mes Metalurgut dhe Killit.

Babai i tij, Muharrem Shabani, rastin e ka paraqitur në polici ndërsa i bën thirrje organeve kompetente që të kapin kriminelët dhe t'i nxjerrin para drejtësisë.

"Ne nuk kërkojmë diçka tjetër, përveç se ata të cilët e kanë bërë të dalin para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar sipas ligjit. Nuk do të thotë se është vikend dhe ne mos të guxojmë të lëvizim dhe të frikohemi nga huliganët", u shpreh Muharrem Shabani.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë sulmin ndaj 18 vjeçarit i cili është regjistruar si "sulm dhe grabitje ndaj viktimës" e jo si incident ndëretnik.

Nga MPB-ja e Maqedonisë thonë se punohet për zbardhjen e rastit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.