VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SIMUNIÇ - SERBËT THANË 'VRITENI KROATIN QË SHQIPTARI TË MBESË PA VËLLA'

E Hënë, 10.20.2014, 05:25pm (GMT1)



SERBI - Armiku i armikut tim, është miku im. Një shprehje e vjetër shqiptare, që në jetë ka gjetur Kroacinë, kundërshtarin e përbashkët me Serbinë. Një lidhje mes popujve që edhe serbët e njohin, që i ka bërë të krijojnë dhe kore raciste për të dy popujt, kore që u kënduan edhe në mbrëmjen e 14 tetorit. "Vrite kroatin, që shqiptari të ngelet pa vëlla", - kështu këndonin huliganët serbë në stadiumin e Partizanit të martën në Beograd, çka ka bërë që mbështetja kroate për Shqipërinë të bëhej shumë më e madhe se sa ishte. Në rrjetet sociale, nëpër media, i gjithë populli kroat ka mbështetur Shqipërinë, duke i quajtur lojtarët tanë heronj dhe flamurin mbi stadium një ide gjeniale.

SIMUNIÇ
Diskutimit i ka dhënë formë publike mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit, Josip Simuniç, i cili ka sulmuar presidentin e vendit, Ivo Josipoviç, për mosreagim zyrtar ndaj Serbisë. Josipoviç ka deklaruar kohë më parë që nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e kombëtares kroate, për sa kohë tifozët këndojnë kore nacionaliste dhe raciste, pasi në këtë mënyre përcjell mesazhin e gabuar. "Ju kritikuat tifozët kroatë dhe nuk vini në stadium sepse ata këndojnë 'luftoni, luftoni për atdheun', por nuk reagoni kur flamuri kroat digjet në Beograd. Kur, ju zoti President i Republikës Kroate do reagoni për koret 'vriteni kroatin që shqiptari të ngelet pa vëlla', që u kënduan në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë?", - pyeti Simuniç.

NACIONALISTI
Vetë ish-lojtari i Hertës së Berlinit është dënuar nga UEFA për 10 ndeshje ndërkombëtare dhe kështu humbi edhe pjesëmarrjen në Botërorin "Brazil 2014", pasi në fund të sfidës me Islandën, një vit më parë, këndoi 'Lufto, lufto për vendin tënd', një parullë nacionaliste e Luftës së Dytë Botërore, që FIFA e quajti nacionaliste dhe nuk e lejon nëpër stadiume. Gjatë eliminatoreve të "Brazil 2014", Serbia dhe Kroacia ishin në një grup. Kroatët barazuan 1-1 në Beograd, në një klimë tensioni, pasi po e fitonin ndeshjen, ku vetëm në fund erdhi barazimi. Atëherë u fol madje që Kroacia ia fali vetë golin, në mënyrë që futbollistët të dilnin të gjallë. Ndërsa në Kroaci, Serbia u mund dhe të drejtën në "play-off" e fitoi për t'u ndeshur me Islandën, e cila ishte në grupin tonë. Kroatët shkuan në Botëror, por u eliminuan që në grup. Gjithsesi, duket se Serbia e ka me të gjithë, duke filluar me Kroacinë, Bosnjën, Shqipërinë, Kosovën, por edhe Malin e Zi që u nda apo Vojvodinën, një krahinë autonome, por që edhe ajo një ditë mund të shkëputet nga Serbia.

EDUARD ILNICA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.