VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HOXHAJ - DO BËJMË TRAKTAT PAQEJE ME SERBINË, BRENDA 3-5 VITESH I ZGJIDHIM TË GJITHA ÇËSHTJET

E Enjte, 10.23.2014, 05:54pm (GMT1)


            Enver Hoxhaj sot në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj i cili gjendet në vizitë në Beograd, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje para anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

"Kjo marrëveshje që po përmendet edhe në Bashkimin Evropian, nuk është asgjë më shumë se një traktat paqeje", u ka thënë Hoxhaj gazetarëve në Beograd.

Më herët ai ka thënë se pjesëmarrja e ministrave kosovarë në takimin ministror të vendeve të rajonit në Beograd është rezultat i procesit të normalizimit të raporteve Kosovë Serbi.

Ministri i jashtëm i Kosovës në detyrë, Enver Hoxhaj, gjendet në Serbi për të marrë pjesë në një konferencë rajonale. Kjo është vizita e parë e këtij lloji prej se Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Duke folur sot para gazetarëve në Beograd, ai tha se "Kosova është e pavarur dhe se askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë".

Mëtutje ai parashikoi se gjatë periudhës së ardhshme 3 ose 5 vjeçare, Kosova dhe Serbia do t'i zgjidhin të gjitha çështjet ndërmjet veti.

Në këtë kuadër, ai theksoi:

"Në pikëpamjen tonë ne mund të kemi raporte të plota normale, ne do të kemi proces të plotë të normalizimit ndërmjet dy vendeve", tha ministri i jashtëm i Kosovës në detyrë, Enver Hoxhaj, i cili në Beograd po merrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që sponsorizohet nga Bashkimi Evropian.

Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosëvës, por Beogradi është pajtuar për përmirësimin e lidhjeve me Prishtinën, për të përparuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.