Tirane- Përherë të parë pas caktimit si anëtarë i
komisionit të rishikimit të historisë, historiani amerikan Bernd Jurgen
Fischer flet në një intervistë ekskluzive për gazetarin Roland Qafoku në
"Debat në Channel One" mbrëmjen e 23 tetorit 2014.
Historiani amerikan ne "Indiana University" i cili do të rishkruajë
për periudhën e Luftës së Dytë Botërore thotë se shqiptarët duhet të
jenë krenarë për luftën që bënë, por shton: :Krahas rezistencës ndaj
pushtuesit kishte edhe elementë të luftës civile."
Fischer thotë se Shqipëria nuk u çlirua as më 28 e as më 29 nëntor, por më 4 dhjetor 1944.
Otomanët thotë Fischer- nuk ishin armiq të shqiptarëve ndërsa Zogu nuk duhet të largohej më 7 prill 1939
Po ju sjellim pjesë të intervistës:
-Zoti Fischer, përse pranuat që të jeni anëtar i një komisioni për të rishkruar historinë e Shqipërisë?
Mendoj se procesi i rishkrimit të historisë është një proces mjaft i
rëndësishëm. Unë vetë kam qenë dakord që historia të rishkruhet kohë pas
kohe, sepse është një proces që ndryshon.
A i njihni anëtarët e tjerë të komisionit dhe cili është mendimi juaj për ta?
I njoh disa prej tyre, si zotin Paskal Milo me të cilin jam takuar në kërkime shkencore në fillim të viteve '90.
Ju keni shkruar disa libra për Shqipërinë, për kohën e Zogut,
për Luftën e Dytë Botërore dhe një për diktatorët e Ballkanit, shtrirë
në kohë. Por ju keni shkruar dhe për kohën e pas viteve "˜90. Pse do
shkruani për periudhën e Luftës së Dytë Botërore?
Ka qenë një periudhë me mjaft interes për mua, që ka një ndikim edhe tani në Shqipëri.
A ndjeheni ju i privilegjuar që nuk do të kontestoheni, sepse jeni një i huaj, e për më tepër jeni një amerikan?
Mendoj se është diçka pozitive deri në një farë mase; të huajt mund
të jenë më objektivë . Ka dhe një pjesë disavantazhi, sepse unë nuk e
kam të njëjtën ndjenjë për Shqipërinë siç e ka një që jeton këtu. Mund
të them se ka dy anë, një është pozitive dhe një është negative, pasi
nuk e njoh Shqipërinë ashtu siç do e njihja nëse do jetoja këtu.
Ju keni një shprehje lapidar, "për të njohur shqiptarët e
viteve 2000 duhet të njihni shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore", me
një fjalë për të njohur brezin tim duhet të njohësh gjyshërit tanë.
Çfarë lidhje kanë gjyshërit me brezin tonë në histori?
Mendoj se është e vërtetë dhe ka një sërë shprehjesh lidhur me këtë
çështje; dhe njëra mund të kujtohet tani, që e përdor edhe gjatë
leksioneve të mia, "historia na krijon, na rrit ne", prandaj është një
pjesë shumë e rëndësishme.
Janë disa momente gjatë Luftës së Dytë Botërore që ne
shqiptarët vazhdojmë të debatojmë. Unë dua të di opinionin tuaj, a duhet
të ndihemi krenarë ne shqiptarët për atë që kemi bërë gjatë Luftës së
Dytë Botërore dhe pse?
Mendoj se është e rëndësishme të ndiheni krenarë sepse populli
shqiptar ka kaluar shumë vuajtje dhe shumë sakrifica dhe ka dhënë një
kontribut të madh gjatë kësaj periudhe.
A ishte tradhti ajo që bëri Ahmet Zogu në vitin 1939, kur u largua më 7 prill?
Mendoj se ai duhet të ishte larguar ndryshe. Mënyra sesi ai iku me aq
shpejtësi, bëri që qeveria e tij të quhej një qeveri në ekzil, qeveri
në largim. Ka pasur dhe në Europë qeveri në ekzil por nuk është ky
rasti. Mendoj se ai mund të kishte qëndruar edhe pak më gjatë për të
krijuar një rezistencë, edhe pse mendoj se në përfundim kjo rezistencë
nuk do të kishte vlejtur. Por gjithsesi ai duhet të kishte qëndruar në
krye të vendit dhe jo të largohej me aq shpejtësi.
A ishte vullnet i popullit shqiptar, bashkimi me Italinë?
Jo. Absolutisht jo. Shqipëria në atë kohë ishte e pushtuar nga
Italia, dhe ishte një vendim i Italisë dhe shumica e shqiptarëve ishte
kundër.
Çfarë ishte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri: Një rezistencë
antifashiste, një rezistencë antifashiste me elementë të luftës civile
apo një luftë civile?
Besoj se kishte elementë të një lufte civile. Të gjitha të dhënat apo
komunikatat që unë kam lexuar tregojnë që palët po luftonin
njëra-tjetrën, por kishte dhe një rezistencë antifashiste.
Po flisni për vitin 1944, pra fundin e luftës?
Jo jo. Besoj se ka filluar që më përpara, sepse ishin krijuar disa
grupe si komunistët, apo Balli Kombëtar, apo ato grupe që ishin pro
Zogut; që luftonin me njëri-tjetrin. Kishte një pritshmëri që grupet jo
komuniste sapo të fillonte lufta do të mbronin popullsinë e tyre. Kur
filluan kryengritjet ndaj gjermanëve dhe italianëve, ishte e vështirë
për të mbrojtur popullsinë e tyre, e për pasojë rezistenca e tyre u ndal
në disa raste, dhe në disa madje u ul ndjeshëm. Pra armiku kryesor i
tyre u bënë komunistët. E për pasojë disa nga këto grupe filluan të
bashkëpunonin me pushtuesit. Ndaj kemi ato dallime që ekzistojnë edhe
sot. Siç kam argumentuar, me një organizatë si Balli Kombëtar, duke qenë
se nuk ishte shumë e centralizuar si Partia Komuniste, kishte elementë
që bashkëpunuan me pushtuesit por dhe disa që u rezistuan atyre. Pra
mendoj se nuk mund të flasim në mënyrë të përgjithshme për një
organizatë si Balli Kombëtar.
Tani një pyetje direkte, kush luftoi kundër okupatorëve në Shqipëri, vetëm partizanët, pra komunistët apo edhe nacionalistët?
Siç e përmenda, mendoj se dhe nacionalistët luftuan, por sigurisht jo të gjithë.
A kanë luftuar ballistët?
Mendoj se kishte elementë që luftuan dhe disa bashkëpunuan.
Çfarë ishte një partizan dhe çfarë ishte një ballist në Luftën e Dytë në Shqipëri?
Partizanët dominoheshin nga komunistët. Ndërsa ballistët kishin disa
grupe. Ka ndryshime thelbësore mes dy grupeve, por mund të them se në
brendësinë e Ballit kishte elementë të përpara luftës, të cilët nuk i
gjejmë në lëvizjen partizane.
Konferenca e Mukjes, e Pezës, Përmeti, çfarë janë këto takime politike në Shqipëri?
Në marrëveshjen e Mukjes thelbi ishte se duhet të kishte një lëvizje
nacionaliste. Por këto ngelen kontradiktore me njëra-tjetrën.
Pse janë kontradiktore?
Duke qenë se në konferencën e Mukjes, Kosova u bë një element i
rëndësishëm, ajo çfarë Hoxha krijoi në këtë vend, ajo që është quajtur
shtet nacionalist-marksist (por nacionalist jo në një kuptim
tradicional), përfshihen dhe elementë të irredentizmit. Ndërsa politikat
e Zogut nuk e përfshinë këtë. Dhe për këtë ai është dënuar gjerësisht
nga nacionalistët tradicionalë.
Ne kemi 24 vjet që debatojmë dhe po ju bëjmë dhe juve pyetjen e famshme, kur u çlirua Shqipëria?
Data ime vjen nga dokumentet gjermane që kam lexuar. Një prej këtyre
që e kam publikuar, e ka shkruar një oficer gjerman, është një dokument
100 faqesh që përshkruan gjithë aktivitetin e tyre duke përfshirë edhe
datën se kur u larguan gjermanët. Gjermanët i mbeten idesë që u tërhoqën
në 4 dhjetor, pra as në 28 as në 29 nëntor. Të them të drejtën është
shumë e vështirë të përcaktohet se kur u largua. Por besoj se dokumentet
gjermane duhet të respektohen. Ideja ime është që duhet të festohet
dita e çlirimit në një mënyrë të përgjithshme dhe jo në një datë të
caktuar. Ose t'i festoni të dyja ditët.
Zoti Fischer, si është Shqipëria 24 vjet pas rënies së komunizmit?
Është shumë më mirë se periudha pas rënies së komunizmit. Shqipëria
po ecën në drejtimin e duhur, dhe pse ka shumë probleme që vijnë me
regjimin e Hoxhës, i cili ishte mjaft shtypës.
Në 102 vjet shtet, cila është periudha më e mirë për ne shqiptarët?
Mendoj se periudha pas komunizmit. Ka më shumë liri politike,
Shqipëria është e hapur ndaj pjesës tjetër të Europës dhe botës. Kështu
që në perspektivën time kjo është periudha e artë e Shqipërisë.
Pavarësisht kësaj, ka shumë sfida dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve
vuajnë ekonomikisht. Mirëqenia e popullit duhet të jetë qëllimi i çdo
qeverie.
Si ndiheni kur jeni në Shqipëri?
Ndihem shumë rehat. Kam shumë miq dhe më pëlqen të vij këtu, është vend i qetë dhe miqësor.
Cili është armiku më i madh i shqiptarëve?
Shqipëria ka luftuar me shumë vende, që nga normanët, turqit, grekët,
serbët etj. Për mua otomanët nuk mund të përshkruhen si armiq, ndërsa
të tjerët besoj se mund të quhen si armiq. Sa i përket periudhës
moderne, Shqipëria përballet me shumë sfida. Por s'do ta përdorja termin
armiq.
Nga Ismail Qemal Vlora dhe deri te Edi Rama janë 33 kryeministra. Ka ndonjë që e veçoni?
Është një pyetje mjaft e gjerë. Mendoj se kryeministrat pas rënies së
komunizmit kanë sjellë më shumë se ata para rënies. Kjo duke qenë se
gjatë periudhës së Zogut kryeministrat nuk kishin shumë kompetenca,
ndërsa ata pas periudhës së komunizmit kanë pasur kontribut. Sali
Berisha ka pasur meritë, dhe mendoj se dhe Edi Rama është përgjegjës për
ecjen përpara.
Mendimi juaj për Fatos Nanon?
Mendoj se dhe Nano ka bërë që vendi të ecë përpara. Të gjithë ata mund të quhen pozitivë në një aspekt.
Si po punon Rama?
Mendoj se Rama ka pasur një influencë mjaft pozitive në politikën
shqiptare, por dhe sa i përket pozicionit me Europën. Ai përfaqëson të
ardhmen. Sigurisht ai do të përballet me shumë sfida dhe do të shihet si
do i kalojë këto. Megjithatë ka një sërë politikash që unë i konsideroj
pozitive.
Zoti Fischer, cili është mendimi juaj në lidhje me problemet në ndeshjen Serbi-Shqipëri?
Ishte një incident shumë fatkeq në nivele të ndryshme. Në një farë
mënyre ishte diçka e zgjuar, por mendoj se ishte dhe një provokim i
rrezikshëm. Përgjigja e serbëve duke përfshirë dhe tifozët dhe qeverisë,
ishte një përgjigje e papranueshme. Ne kuptojmë që ndeshjet kanë dhe
huliganë, por në rastin e Serbisë ka një element të shtuar të racizmit, i
cili u bë i qartë edhe para incidentit me flamur. Reagimi nga turma
pasi u pa flamuri, ishte e papranueshme. Mendoj se dhe policia dështoi
në punën e saj. Edhe politika serbe dha përgjigje të papranueshme. Kam
frikë se ky është hap pas në marrëdhëniet mes dy vendeve. Dhe me shumë
mundësi do të vonojë integrimin e dy vendeve në BE. Është një ngjarje
fatkeqe dhe serioze. Do të shohim si do të përgjigjet edhe UEFA.
Çfarë menduat kur dëgjuat deklaratat e politikanëve serbë sidomos të kryeministrit?
Siç e thashë, reagimi i qeverisë ishte i papranueshëm sepse nuk morën
asnjë përgjegjësi. Ndërsa reagimi i qeverisë shqiptare ishte shumë më
tepër mbrojtës.
Kryeministri Rama do të vizitojë Beogradin pas disa ditësh, cili është mendimi juaj për këtë vizitë që vjen pas 68 vitesh?
Është një ngjarje mjaft e rëndësishme dhe më vjen mirë që
kryeministri do shkojë. Shpresoj që media ta fashisë ngjarjen e shëmtuar
me këtë takim.
Keni ndonjë këshillë për kryeministrin?
Mendoj se ka njerëz që janë më të përgatitur sesa unë për të
këshilluar kryeministrin. Megjithatë progresi dhe reformat janë një pikë
kyçe që monitorohen nga BE. E di që kryeministri po sheh me vëmendje
sistemin gjyqësor që është një pikë kyçe në bërjen e reformave. Dua që
t'i kushtohet rëndësi dhe jetesës së shtresës së mesme. Mendoj se kjo
është detyra e qeverisë. E kuptoj që ka vështirësi të mëdha financiare.
Dua të them se politikanët shqiptarë kanë disa pika ku nuk kanë shumë
kontroll, siç është ekonomia ndërkombëtare dhe mendoj se kjo nuk është
një gjë e mirë. Duhet ndihma e të tjerëve për të kthyer ekonominë
shqiptare. Edhe vetë Obama ka limite mbi atë që mund të bëjë.
Cili është mendimi juaj për mediat shqiptare?
Media shqiptare është në një proces transformimi, pasi po shndërrohet
gjithnjë e më pranë medias europiane. Po bëhet më objektive. Problem
mbetet aspekti financiar që është kritik për pavarësinë e tyre. Do doja
të shikoja të ishin më të pavarura, që do të thotë se janë më objektive.
Kjo është diçka që përballen të gjitha shtetet, dhe ne në SHBA
përballemi me influencën politike në media. Po duhet të jetë qëllim i
vendit që ta largojë këtë dhe t'i bëjë mediat më të pavarura.
Bernd Fischer në studion e Debat në Channel One