VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Prishtina: Bisedimet Kosovë-Serbi vetëm në nivel të shteteve të pavarura
E Mërkurë, 02.04.2009, 04:04pm (GMT1)

Voal-online Prishtina iu është përgjigjur mëtimeve të Beogradit. Presidenti Fatmir Sejdiu deklaroi sot se bisedimet e Kosovës më Serbinë mund të zhvillohen vetëm në nivelin e shteteve të pavarura. Deklarata e kryetarit Sejdiut ka ardhur menjëherë pas fjalëve të presidentit serb Boris Tadic në lidhje me gadishmërinë për takim me liderët kosovarë. Ende nuk është caktuar forma e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por analistët vlerësojnë se zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk duhet të pranojnë të bisedojnë me Beogradin për çështje që nuk janë teknike.
Profesori i së Drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti thotë se pala kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme, paraprakisht në përcaktimin e formatit dhe në axhendën e këtyre bisedimeve.
"Ata do të duhej të ishin shumë syçelë dhe negociatat do të duhej të koncentroheshin vetëm në aspekte teknike, në aspektin e mirësisë së ndërsjellë edhe për Kosovën edhe për Serbinë, ndërkohë që plani i Ban Ki Moonit është hedhur nga institucionet e Kosovës dhe absolutisht nuk do të duhej të uleshin në tavolinën e bisedimeve"- ka thënë Hoti në një intervistë për radion Blue Sky. Hoti, thekson se UNMIK-u nuk do të duhej të ishte ndërmjetësues në këto bisedime.
Sipas tij këtë pozicion duhet ta mbajë Bashkimi Evropian.

Pritet që kreu i Kosovës të jetë nën trysninë e mëtejshme të institucioneve të BE-së dhe OKB-së në Kosovë, përkatësisht EULEX dhe UNMIK. Në këtë kuadër, nesër pritet të zhvillohet një takim ndërmjet presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës me shefin e UNMIK-ut.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.