VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JAHJAGA DHE BROVINA - NUK KA MË TAKIME TEK PRESIDENTJA, NUK KA MË SEANCË TË KUVENDIT

E Martë, 10.28.2014, 12:19pm (GMT1)



Presidentja e vendit Atifete Jahjaga nuk do t'i thërrasë më në takim liderët politikë, ashtu sikur kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina nuk do të thërrasë mbledhjen e Kuvendit, derisa krerët e partive politike parlamentare të mos ulen bashkarisht për të gjetur zgjidhjen për krizën institucionale.

Ka qenë këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, ai që ka deklaruar se takimi ardhshëm i presidentes do të realizohet kur liderët e partive politike parlamentare të jenë të gatshëm që të ulen për të gjetur zgjidhjen për krizën institucionale.

"Takimi i përmendur do të realizohet kur liderët e partive politike parlamentare të jenë të gatshëm që të ulen për të gjetur zgjidhjen për krizën institucionale, që po e lëkund qëndrueshmërinë e shtetit dhe po e fut atë në një krizë të thellë financiare dhe buxhetore me pasoja të rënda për qytetarët", citon Express të ketë thënë ai.

Edhe deputetja më e vjetër e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, nuk do të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive pa u marrë vesh mes tyre partitë politike. Kështu i ka thënë Gazetës Blic një burim brenda PDK-së.

Sipas këtij burimi, Brovina nuk do të thërrasë seancën pa pasur një marrëveshje ndërmjet partive në mënyrë që të konstituohet Kuvendi.

"Nuk ka logjikë që Flora Brovina të thërrasë seancë nëse s'ka marrëveshje. E pamë se pa marrëveshje s'mund të konstituohet Kuvendi, prandaj edhe s'ka logjikë që ajo të thirret sërish", tha ky burim.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.