VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NGA 16 UDHËHEQËS DIKASTERESH TË SHKUPIT - ASNJË SHQIPTAR

E Mërkurë, 10.29.2014, 09:33am (GMT1)


Asnjë prej 16 sektorëve në administratën e Qytetit të Shkupit nuk udhëhiqet nga shqiptarë.

Udhëheqësi i vetëm shqiptarë qysh nga mandati i kryetarit të mëhershëm të Shkupit, Trifun Kostovski është shkarkuar nga Koce Trajanovski. Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në postet udhëheqëse në administratën e kryeqytetit, u aktualizua edhe në seancën për pyetje këshilltarësh nga grupi i këshilltarëve të PDSH-së.

"Prej ardhjes në krye të mandatit nga ana e Koce Trajanovskit kemi shumë dukuri negative duke nënçmuar, poshtëruar dhe degraduar një popullatë të tërë. Pyetja konkrete është se para mandatit të tij, nga ish kryetari i kaluar Trifun Kostovski kishim një shqiptar, dhe filloi të ketë lëvizje që të kemi shqiptarë udhëheqës në administratë. Por me ardhjen e kryetarit aktual edhe ai i vetmi shqiptar është larguar, kështu që nga 15 sektorët nuk kemi asnjë shqiptarë", tha Idriz Orana, PDSH.

Por kreu i Qytetit vlerëson se kuadrot nuk duhen zgjedhur sipas përkatësisë etnike, por sipas Ligjit, edhe pse përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është i garantuar me Kushtetutë.

"Duhet ta shikoni Ligjin për nëpunës shtetërorë. Aty nuk mund të zgjedhim sipas kombësisë... Edhe mua më vjen keq që nuk ka. Nuk bëhet fjalë për diskriminim, sidomos jo për diskriminim të qëllimshëm, siç u tentua të më imponohet, por përkundrazi, njeriu bëri gabim, duhej të zëvendësohet dhe pjesa tjetër rrjedh sipas ligjit për nëpunës shtetëror. Kështu që kur të jetë shpallja, do të isha i lumtur nëse dikush me kombësi shqiptare do e fitonte vendin e punës. Ose nuk është patjetër shqiptar, le të jetë rom, serb, maqedonas ose çfarëdo qoftë", u shpreh Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Sipas Avokatit të Popullit, përfaqësimi i shqiptarëve në Qytetin e Shkupit nuk kalon as 6%, ndërsa në postet drejtuese, as 3%, duke e bërë kështu Qytetin e Shkupit ndër strukturat lokale më diskriminuese në këtë aspekt.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.