VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPËRI - PËRMBYTJE NGA SHIRAT, 3 NJERËZ HUMBIN JETËN

E Mërkurë, 11.19.2014, 07:07am (GMT1)



3 njerëz janë viktima të motit të keq në të gjithë vendin. Mësohet se babë e bijë humbën jetën në qendër të Laçit pasi makina me të cilën udhëtonin e ka marrë rrjedha e ujit, ndërsa në Kurbin si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën një i ri 22-vjeçar.

Gjon Kola, ish drejtor shkolle në Laç është nxjerrë i pajetë nga makina, ndërsa disa orë pas kërkimeve nga ekipet e emergjencës, konkretisht rreth orës 01:20 pas mesante, është gjetur edhe trupi i pajetë i vajzës së tij rreth 23 vjeç, identiteti i të cilës ende nuk bëhet i ditur.

Mësohet se trupi i vajzës është gjetur në Sanxhak, rreth 2 km nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë u përfshi nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në fshatin Skuraj të Kurbinit si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën 22-vjeçari Liman Balluku të cilin e ka marrë rrjedha e ujit. Ekipet e forcave të kërkim-shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit.

Në Lundër të Tiranës si pasojë e përmbytjeve 4 persona kanë mbetur të bllokuar për disa orë në tarracën e banesës së tyre pranë Arkivës Qëndrore. Shërbimi zjarrfikës ka bërë të mundur evakuuimin e 4 banorëve të bllokuar, të cilët fatmirësiht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

SITUATA, MBLIDHET GRUPI KOORDINATOR NË KRYEMINISTRI

Menjëherë pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në përbërje të grupit janë: Ministri i Punëve të Brendshme; Ministri i Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Shëndetësisë. Prej disa orësh, në zonat e rënduara si pasojë e reshjeve të forta ndodhet Ministri i Bujqësisë, i cili po ndjek situatën në terren.

Gjithashtu, në terren janë angazhuar forca dhe mjete logjistike të Ushtrisë, për t'i ardhur në ndihmë shtabeve të emergjencave civile të ngritura në çdo qark.

Grupi koordinator po monitoron orë pas ore të dhënat e ardhura nga të gjitha shtabet e emergjencave civile të çdo qarku dhe siguron qytetarët e zonave të prekura që janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për të përballuar çdo situatë eventuale.

MOTI I KEQ, UKT NJOFTON PËR KUFIZIME TË FURNIZIMIT ME UJË NË DISA ZONA

Si pasojë e motit të keq Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar se në disa zona të Tiranës do të ketë kufizime të energjisë për shkak të ndërprerjes së energjisë në në disa stacione të pompimit, konkretisht në stacionin e pompimit në "˜Qafë Mollë', "˜Selitë', "˜Borxull'.

UKT bën me dije se si pasojë e këtyre avarive do të ketë kufizime me ujë të pijshëm tek "˜Komuna e Parisit', zona e "˜Senatoriumit', "˜Saukut', "˜Qyteti Studenti', "˜Tirana e Re', zona e "˜Ish- Bllokut', si dhe tek rruga "˜3 Dëshmorët' në Yzberisht. UKT njofton se kufizimet në këto zona do të zgjasin deri në riparimin e avarive të shkaktuara si pasojë e përymbytjeve.

PREFEKTURA TIRANË: BANORËT E SHKOZËS DHE LUNDRËS TË STREHOHEN NË SHKOLLA

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi mblodhi komisionin e planifikimit të emergjencave për shkak të situatës së rënduar në kryeqytet si pasojë e përmbytjeve. Prefektura njofton se zonat më problematike janë Lundra dhe Shkoza, për pasojë banorët e këtyre zonave mund të strehohen në shkollat që kanë më afër.

Sipas prefekturës, Drejtoria Arsimore Rajonale ka hapur shkollat për banorët e këtyre zonave deri në normalizimin e situatës. Bëhet me dije se shërbimi zjarrfikës dhe policia janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës.

BASHKIA TIRANË: SITUATË EMERGJENTE NË BREGUN E LUMIT

Bashkia e Tiranës njofton se në Bregun e Lumit, në njësinë bashkiake numër 11 situata është alarmante dhe është e domosdoshme ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe policisë për të ndihmuar banorët e përmbytur. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile në Bashki në rrugën "˜Siri Kodra', "˜Hamdi Pepa', në zonën e "˜Ish Kombinatit Tekstil' dhe pallatet "˜Çabej' disa familjeve u është futur uji në banesa, ndërsa janë dëmtuar dhe disa biznese. Punonjësit e bashkisë po ndihmojnë banorët në zonën e Bregut të Lumit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.