VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DISKRIMINIMI I PAKICAVE ROME NË SHQIPËRI

E Mërkurë, 11.19.2014, 07:11am (GMT1)


Gjendja e bashkësive rome në Shqipëri nuk ka asnjë përmirësim nga viti i kaluar, megjithë ligjet e mira perëndimore, të cilat nuk zbatohen. Avokati i Popullit Igli Totozani thotë se pakica rome diskriminohet në Shqipëri, vuan njëlloj nga varfëria dhe papunësia si vitet e kaluara dhe pakgjë ose asgjë nuk është bërë deri tani për të përmbushur të drejtat e tyre njerëzore.

Përfundimet e tij i vërtetojnë banorët romë të bregut të lumit dhe bashkësi të tjera në Selitë apo zona të tjera në periferi të Tiranës. Zoti Totozani thotë se familjet rome jetojnë në varfëri dhe pasiguri ekstreme, ndaj ai i quan një grup në risk dhe të lënë pas dore."‹

Midis vështirësive të shumta që ndeshin romët, organizata si World Vision po i ndihmojnë që të kthehen në shkollë fëmijët që braktisin mësimin. Kjo organizatë ka 5 vjet që zhvillon programe për kthimin e fëmijëve në shkolla. Koordinatori Robert Stoli i organizatës World Vision në zonën e bregut të lumit thotë se shkaqet e braktisjes së shkollës janë punësimi i të miturve për të shitur dhe për të mbledhur hekurishte. Por varfëria është e madhe dhe nevojat e tyre janë të shumta dhe veprimtarët bëjnë ç'të mundin për t'i ndihmuar.

Zoti Totozani thotë se kërkesat dhe rekomandimet e shumta të Avokatit të Popullit nuk dëgjohen nga institucionet, dhe ende nuk merren masa për trajtimin dinjitoz të romëve në Shqipëri. Ata janë qytetarë të përjashtuar të nivelit të dytë dhe çështja ka hyrë në një ngërç nga është vështirë të dilet.

Pakicat rome në Shqipëri besohet se janë realiaht mbi 100 mijë banorë, por regjistrimet zyrtare ata i nxjerrin jo më shumë se 8 mijë dhe disa të tjera rreth 20 mijë. Sidoqoftë ata ende jetojnë në kushte shumë të rënda dhe për ta disa kujtohen vetëm kur duhet t'i dëbojnë me dhunë nga ndonjë zonë për të ngritur pallate të reja.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.