MAQEDONI - DËNOHET ISH MINISRI I BRENDSHËM BOSHKOVSKI
E Mërkurë, 11.19.2014, 06:23pm (GMT+1)
Ish-ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Lube Boshkovski u dënua sot me dhjetë vjet e gjysmë burg nën akuzat për rol ndihmës në një vrasje në vitin 2001. Gjykata e Shkupit la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për katër persona të tjerë të akuzuar për vrasjen. Tre prej të akuzuarve, shtetas serbë, u dënuan në mungesë. Fajtorë u shpallën edhe dy ish-zyrtarë të policisë dhe ish-truproja e Lube Boshkovskit. Ky është procesi i dytë gjyqësor që zhvillohet për këtë rast. Avokatët mbrojtës të ish-ministrit thanë se do ta apelojnë përsëri çështjen dhe do të kërkojnë rigjykim, pasi sipas mbrojtjes ky është një proces i montuar politik. Rasti ka të bëjë me vrasjen e dy shtetasve maqedonas në vitin 2001, një rast për të cilin ende nuk dihen motivet e krimit. Ish ministri maqedonas Lube Boshkovski është akuzuar dhe më vonë liruar për mungesë provash nga Gjykata e Hagës, lidhur me vrasjen e dhjetë civilëve shqiptarë në një fshat të Shkupit, në gusht të vitit 2001.
www.voal-online.ch
|