VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PO RRITET NUMRI I TË PAKËNAQURVE NË LDK PAS KOALICIONIT ME PDK-në

E Premte, 11.21.2014, 11:38pm (GMT1)



Derisa PDK e LDK kanë nisur punën për harmonizimin e programit qeverisës dhe ndarjen e posteve në ekzekutiv, shpërthimet e njerëzve të pakënaqur brenda LDK-së sa vijnë e shtohen, raporton KTV.

Ata që pakënaqësinë e shprehën në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, nuk po hezitojnë ta bëjnë edhe publikisht, duke treguar se në asnjë formë nuk do të pajtohen me vendimin e liderit të tyre, Isa Mustafa, për bashkëqeverisje me partinë që e quajnë kupolë të krimit në vend.

Pas Vjosa Osmanit që fuqishëm në fjalimin e saj karshi anëtarëve të Këshillit të përgjithshëm kishte kërkuar më mirë opozitë të dinjitetshme sesa bashkim me krimin dhe nëntokën, siç e quajti ajo PDK-në, kundërshtime ka pasur edhe nga Arben Gashi, Kujtim Shala e Alma Lama.

Edhe deputeti Adem Salihaj tha se Këshilli i përgjithshëm i LDK-së nuk ka vendosur për koalicion me PDK-në. Së fundi këtyre kundërshtimeve iu bashkua edhe deputetja Doruntinë Maloku, duke thënë se nuk do të votojë koalicionin e lidhur ndërmjet Isa Mustafës e Hashim Thaçit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.