VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EMIGRIMI ILEGAL NË ANGLI - DY TË RINJ SHQIPTARË DIGJEN TË GJALLË

E Shtunë, 11.22.2014, 08:49am (GMT1)



TIRANE - Dy të rinj shqiptarë kanë gjetur vdekjen teksa tentonin të kalonin ilegalisht kufirin me qëllim emigrimin në Angli.

Viktimat janë Erinda Kaçorri 22 vjeç nga Rrësheni dhe Rexhë Myzyraj nga Hasi. Vajza ishte nisur ilegalisht për tu bashkuar me bashkëshortin e saj, që ndodhej në Angli. Ajo shoqërohej në këtë udhëtim ferri nga djali i dajës së burrit të saj, Rexhë Mynzyraj.

Mësohet se të rinjtë janë shkrumbuar nga flakët e zjarrit që shpërtheu në kamionin ku ata ishin fshehur rreth orës 19:30 të mbrëmjes së të mërkurës në terminalin e trageteve pranë Dunkirk.

Nga pozicioni që janë gjetur trupat tregon se ata janë përpjekur të dalin nga kamioni në momentin kur ka rënë zjarri, por ka qenë e pamundur. Trupat e viktimave, janë gjetur terësisht të karbonizuar.

Erinda Kacorri, 22 vjeçe

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, kamioni drejtohej nga një shtetas polak dhe ishte nisur nga Polonia, ndërsa u përfshi nga flakët në terminalin e trageteve pranë Dunkirk.

Sipas të dhënave dy shqiptarët ishin të fshehur në një kamionin i cili transportonte shufra polisteroli (bukë peshku), gjë e cila ndikoi që kamioni të merrte flakë përnjëherë, duke mos u dhënë kohë dy shqiptarëve të manovronin.

Mediat raportojnë gjithashtu se dyshohet që është shkaktuar nga një cigare e hedhur nga viktimat, që më pas ka djegur edhe pëlhurën që mbulonte pjesën e pasme të kamionit, ku ishin fshehur.


        Rexhë Mynzyraj

Kamioni i cili po nisej për në Angli kishte kaluar të gjitha kontrollet doganore dhe policore.

Policia franceze ka bërë ndalimin e drejtuesit të kamionit. Teksa është marrë në pyetje nga Prokuroria, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni se në pjesën e pasme të mjetit që drejtonte kishte emigrantë.

Nga pamjet e publikuara në mediat franceze, shihet se kamioni është shkrumbuar i tëri jashtë terminalit të trageteve në portin Loon-Plage.

Shumë shqiptarë kanë zgjedhur mënyrat e emigrimit klandestin pasi Britania është një ndër shtetet e Bashkimit Europian që nuk pranon liberalizmin e vizave për vende që nuk janë përfshirë ende në këtë Union. Ndërsa marrja e një vize në ambasadën britanike ka në përmbajtje procedura gati të pamundura të realizohen nga shqiptarët.

Prindërit e vajzës: Shteti shqiptarë të ndërhyjë, të identifikojë viktimat

Nga Rrësheni, me dorën në zemër, me zërin që i dridhet Dedë Kacorri nuk di cfarë të thotë, Shprehet se nuk ka mundësi që trupi i viktimës së karbonizuar që përflasin mediat të jetë i vajzës së tij. Deda shpjegon se vajza është nisur me kunatin për të shkuar në Angli, tek i fejuari, por nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet e bija. Apeli është i shkurtër dhe i qartë.

"I bëjmë apel shtetit shqiptar të identifikojë trupit. Ne nuk e dimë nëse është trupi i vajzës sonë. Vajza u nis me kunatin, do shkonte tek i fejuari në Angli. Nuk dimë gjë më tej. Nëse janë trupat e tyre, shteti të na ndihmojë të na i kthejë", shprehet Deda për News24.

Babai i vajzës Dedë Kacorri thotë se vajza aplikoi dy herë për vizë, ka paguar dhe shkollën në Angli ku do studionte dhe ambasada ia ka refuzuar pa asnjë lloj shpjegimi.

"Ky fakt e mërziti shumë vajzën dhe është detyruar që të shkojë në mënyrë ilegale, ku fillimisht nga Rinasi shkoi në Belgjikë bashkë me një të afërt të të fejuarit të saj dhe nga Belgjika donte të shkonte në Angli"- tha ai.

Nëna e Erinda Kaçorrit, tregon për "˜Panorama Online' se vajza ishte nisur 1 jave më parë bashkë me një të afërm të të fejuarit.

"Eshte nisur nga Rinasi dhe ka shkuar ne Blegjike. Qe prej te merkures kam humbur kontaktet me vajzen. I bej thirrje shtetit qe te nderhyne per identifikimin e kufomes"- thotë nëna.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.