VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVA ËSHTË MË E RREZIKUARA NË BALLKAN NGA SULMET TERRORISTE

E Hënë, 11.24.2014, 05:19pm (GMT1)


Numri i njerëzve të vrarë në sulmet terroriste në mbarë botën në 2013 u rritën për 61 për qind në krahasim me vitin 2012, thuhet në raportin e Institutit Australian për Ekonomi dhe Paqe. Në raportin e ri publikohet një hartë, ku vendet me ngjyrë më të errët paraqiten si më të rrezikuara nga terrorizmi.

Ndër shtetet e rajonit ballkanik, Kosova paraqitet si vendi më i rrezikuar nga sulmet terroriste, ndërsa Shqipëria nuk figuron në 100 vendet e para të listës që përbëhet nga 162 shtete, dhe renditet e 107-ta.

Vlen të theksohet se Kosova, siç transmeton oranws, në këtë raport është trajtuar si një republikë e pavarur, ndërsa analistët vlerësojnë se shtetit më të ri të Ballkanit i kanoset rreziku më i madh nga sulmet terroriste nga territoret e ish-Jugosllavisë.

Kosova është në vendin e 54 dhe nga vendet fqinje, rreziku potencial kërcënon Bullgarinë e renditur e 60-ta, Maqedoninë e 75, ndërsa vendet e tjera të ish-Jugosllavisë janë shumë më pak të rrezikuara.

Serbia ndodhet në vendin e 89, pas Bosnjës dhe Malit të Zi ndërsa Kroacia, dhe Sllovenia, ashtu si Shqipëria nuk janë fare në 100 vendet më të rrezikuara.

Pesë vendet që kryesojnë listën janë, Iraku, Afganistani, Pakistani, Nigeria dhe Siria, në të cilat kanë humbur jetën dy të tretat e numrit të përgjithshëm të të vrarëve nga veprimet terroriste.

Statistikat për vitin e kaluar ishin katastrofike, dhe ekziston frika se numrat për vitin 2014 do të mund të jenë edhe më e lartë për shkak të shumë sulmeve të Shtetit Islamik, i cili operon në Lindjen e Mesme, ndjekur nga Boko Haram në Nigeri, si dhe talebanëve në Afganistan dhe Pakistan.

Përveç këtyre pesë vendeve, një rrezik i lartë nga sulmet terroriste kërcënon edhe Angolan, Bangladeshin, Burundin, Republikën Qendrore Afrikane, Bregun e Fildishtë, Etiopinë, Iranin, Izraelin, Malin, Meksikën, Mianmarin, Sri Lankën dhe Ugandën.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.