VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

OBAMA - JEMI KRENARË PËR NJË ALEAT SI SHQIPËRIA

E Martë, 11.25.2014, 07:55am (GMT1)



Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama ka uruar nëpërmjet një mesazhi Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, me rastin e Festës së Pavarësisë:

"I dashur Zoti President,

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiroj t'i përcjell urimet e mia më të mira qeverisë dhe popullit shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës suaj të Pavarësisë.

Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës. Ju përgëzojmë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj.

Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale. Ne i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO-s në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!"
përfundon mesazhi i Presidentit amerikan drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.