VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KREU I GJYKATËS KUSHTETUESE TË KOSOVËS - SEKS NË KËMBIM TË NOTËS?

E Enjte, 11.27.2014, 08:15am (GMT1)


 

Një video me rrëfimin e një studenteje është publikuar së fundi në Kosovë dhe në qendër të saj ndodhet kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili akuzohet për një skandal seksual.

Videoja në fjalë, e publikuar edhe nga gazeta kosovare "Koha Ditore", është hedhur në "You Tube" më datë 20 të këtij muaji. Aty shfaqet një studente që akuzon Hasanin se u kërkon studenteve marrëdhënie seksuale në këmbim të notave kaluese në Universitetin e Prishtinës.

Studentja anonime rrëfen historinë e një shoqeje të saj, që nën presionin e Hasanit thotë se ka pranuar që me këtë të fundit të kryejë marrëdhënie seksuale në një nga hotelet e kryeqendrës së Kosovës.

Hasani, që ushtron edhe profesionin e profesorit, ka mohuar gjithçka dhe ka thënë se ky është një shantazh politik, që vjen nga persona që kanë lidhje me partinë e Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas "Koha Ditore", Hasani ka bërë dy denoncime në Policinë e Kosovës.

Por akuzat e Hasanit drejtuar AAK-së janë hedhur poshtë nga shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Ardian Gjini.

"Enver, fillimisht, po të tregoj se këtë video e kam parë në "You Tube", ndoshta, ndoshta pas teje. Dhe, jam shokuar.

Është shokuese nëse pretendimet e asaj vajze janë të vërteta. Por, është shokuese edhe nëse nuk janë të vërteta sepse kjo do të dëshmonte se deri ku mund të shkojnë logjikat e mbrapshta. Dhe, këshilla ime për ty është që të kërkosh nga organet e rendit të merren me vërtetësinë e pohimeve, ta gjejnë atë vajzë, ta gjejnë prej ku është postuar videoja dhe ta zbardhin këtë rast për të cilin sinqerisht shpresoj të mos jetë i vërtetë", ka thënë ai.

Kriza politike në Kosovë dhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e ngërçit politik mund të jetë ndoshta shkaku i kësaj videoje.

Gjykata Kushtetuese mbajti "peng" mbledhjen e Parlamentit duke mos lejuar koalicionin opozitar LDK-AAK-Nisma-VV që të zgjidhnin kreun e Kuvendit, sepse partia fituese e zgjedhjeve ishte PDK-ja.

Ishin pikërisht këto vendime të Kushtetueses, që sollën prishjen e aleancës opozitare dhe i dhanë mundësinë PDK-së së Hashim Thaçit, të bëhej pjesë e koalicionit qeveritar.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.