VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VOAL JU URON - MOTRA E VËLLEZËR SHQIPTARË KUDO QOFSHI: E GËZOFSHIM PËR JETË E MOT ME DINJITET E NDER DITËN E FLAMURIT!
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ  DHE ELIDA BUÇPAPAJ

E Premte, 11.28.2014, 08:57am (GMT1)





Voal-online - Të dashur motra dhe vëllezër shqiptare, kudo që të jeni, kudo qofshi në Shqipërinë londineze, trojet shqiptare, në Atdheun ku flitet gjuha jonë e bukur dhe në Diasporë, ju urojmë nga zemra gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit tonë kombëtar dhe 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

Urojmë që kjo ditë të na bashkojë më shumë se kurrë në rrugën e Zotit, në një dashuri të shenjtë për njëri tjetrin, në një dashuri të shenjtë për Atdheun tonë, për kombin tonë, për gjithçka që është shqiptare!

Vetëm kështu ne do të arrijmë përparimin tonë kombëtar dhe do të renditemi në radhët e para të kombeve të qytetëruara, do të arrijmë të jemi faktor për veten tonë, për çështjen tonë, për çështjen e drejtësisë, të lirisë, të paqes, të mirëqenies në rajonin tonë, në kontinentin tonë dhe në mbarë botën.

Në dashuri, paqe, mirëkuptim vëllazëror me njëri tjetrin, si vëllezër dhe motra, ne do të arrijmë të rrezatojmë miqësi, aleancë dhe partneritet shembullor me të gjithë miqtë tanë, aleatët tanë dhe partnerët tanë, të cilët janë mrekullia më e madhe që na ka falë Zoti!

Kemi hyrë tashmë në shekullin e dytë të pavarësisë. Përpara kemi sfida të reja, siç janë integrimet Euro-Atlantike, lufta kundër korrupsionit, klientelizmit, nepotizimit, informalitetit, ndërtimi i shtetit ligjor, forcimi i demokracisë dhe një jetë me nder, dinjitet dhe prosperitet për qytetarët. Vetëm shqiptarët më të mirë janë të gatshëm t'i kalojnë këto sfida! E ne duhet të rreshtohemi pas tyre e jo pas partive, sepse partitë i bëjnë njerëzit!

Të lusim Zotin dhe të bashkojmë zemrat, mendjet, vullnetet dhe energjitë tona kombëtare që ky shekull të jetë vërtet shekulli ynë, i faktorizmit përmes vlerave universale të cilat kanë qenë edhe ëndrrat e të parëve tanë, të rilindasve tanë, të të gjithë heronjve dhe vizionarëve tanë!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që të jenë!






ELIDA BUÇPAPAJ DHE SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.