VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PAVARËSIA - VLERËSOHEN FIGURA HISTORIKE E STUDIUES

E Shtunë, 11.29.2014, 09:03am (GMT1)



Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani vlerësoi mbrëmë, gjatë një ceremonie me rastin e 102 vjetorit të Pavarësisë së vendit disa figura historike, si dhe studiuesë e akademikë shqiptarë. Zoti Nishani akordoi disa nga medaljet dhe dekoratat më të rëndësishme të Shtetit për figura si Isa Boletini, apo personazhe të rëndësishme gjatë luftës së Dytë botërore, që nga Qemal Stafa te Abaz Kupi, Hysni Lepenica e Safet Butka, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi e Mujo Uqinaku, si dhe studiues nga Kosova, Maqedonia, si Mark Krasniqi, Idriz Ajeti, Ali Aliu apo dhe arbëreshë si Matteo Mandalà.

Presidenti Nishani dekoroi me Urdhërin Gjergj Kastrioti, "për kontributin e veçantë në forcimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndihmesën e çmuar, të dhënë në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri", ish drejtorin për Europën Qëndrore dhe Jugore në departamentin amerikan të Shtetit Jonathan Moore, aktualisht drejtues i misionit të OSBE-së në Bosnje. Në fjalën e tij presidenti Nishani theksoi se "SHBA-të janë aleati më i madh sot strategjik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Kontributi i popullit amerikan, i qeverive amerikane, i presidentëve të SHBA-ve ka qenë themelor, jetik, i pazëvendësueshëm edhe në momentet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar". Nga ana e tij zoti Moore tha se për të ky vlerësim ishte "një nder shumë i madh. Jam mirënjohës që jam me popullin shqiptar me rastin e 28 nëntorit. Është një nder i jashtëzakonshëm", u shpreh ai.

Më vonë, Presidenti Nishani shtroi dhe një darkë të posacme me rastin e Festës së Pavarësisë. "Dita e Flamurit, 28 Nëntori është  data-festë, që emocionon  dhe bashkon shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër! Kjo ditë është thagma jonë,  na bën një, pa ndoshta e sikur, pa dallime politike, krahinore e fetare, sepse jemi të vetëdijshëm se aty janë rrënjët e projektit kombëtar, plazmimi i shtetit shqiptar  në Ballkan, në Evropë, në kohë dhe histori", u shpreh zoti Nishani, ndërsa u ndal më pas edhe në 70 vjetorin e Festës së Çlirimit e cila do të kujtohet sot.

"Ne duhet kujtojmë dhe nderojmë me respekt të thellë dëshmorët e Luftës Antifashiste, ato bija e bijë idealistë të majtë, të djathtë, liberal, nacionalistë, konservatorë, thjeshtë patriotë që luftuan për një Shqipëri të lirë e demokratike, ëndërr kjo, e cila u bë realitet veç 46 vjet pas përfundimit të kësaj lufte", u shpreh presidenti i cili më pas preku edhe një temë e cila ka nxitur debate të shumta kohët e fundit, atë që lidhet me figurën e diktatorit Enver Hoxha. "Do të ishte e pandershme, e pamoralshme po e po, një fyerje për gjakun e derdhur nëse nuk e shqiptojmë të vërtetën, sepse vetëm ajo na bën të lirë, vetë faktin tragjik, atë që ëndrra dhe sakrifica e tyre u tradhtua, u manipulua dhe rezultati i saj u vodh prej klikës së prirë nga tirani Enver Hoxha,  portretet e të cilit po shfaqen në tubime përkujtimore, duke shkelur ligjet e Republikës sonë, duke fyer kujtesën tonë kombëtare dhe një popull të tërë, i cili nuk do të pranojë asnjë formë okulte apo të hapur rehabilitimi për këtë demon të së keqes", nënvizoi Kreu i Shtetit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.