VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LUGINA E PRESHEVËS KËRKON PËRFAQËSIM NË QEVERINË E KOSOVËS

E Djelë, 12.14.2014, 04:17pm (GMT1)


Formimi i institucioneve të Kosovës i ka gëzuar edhe udhëheqësit e Luginës së Preshevës, të cilët shpresojnë se kjo qeveri do të jetë më e fokusuar për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje. Madje, sipas tyre, qeveria e krijuar nga dy partitë më të mëdha në Kosovë, do duhej ta kishte një përfaqësues të Luginës së Preshevës, me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë me atë se çka ndodh në pjesën lindore të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, për KosovaPress thotë se për shqiptarët e Luginës së Preshevës bërja e institucioneve të Kosovës me votat e shumicës ka krijuar një siguri, ngase të gjithë andej sytë e mendjet i kanë në Prishtinë.

Por, sipas tij, kjo Qeveri duhet të merret më shumë me çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e jo të merret më pas se sa merret Qeveria e Serbisë me të drejtat e serbëve të Kosovës.

"Po aq sa qeveria serbe është e interesuar për avancimin në shkallë sa më të lartë të të drejtave të serbëve, posaçërisht në veri, po aq duhet të jetë edhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Dhe, këtu nuk ka dyshim se është absolutisht e lejuar në rrafshin politik edhe në regjion, por edhe në Evropë që të merren masa proporcionale për zgjidhjen e problemeve të pakicave kombëtare që janë të shpërndara ose të disperzuara në shtetet e tjera", tha Mustafa.

Edhe kryetari i Bujanocit, Jonuz Musliu, thotë se është koha që edhe zëvendëskryeministri i tashëm Hashim Thaçi, por edhe kryeministri Isa Mustafa, së paku ta kenë një pikë mbështetëse për shkak të reciprocitetit me veriun edhe Luginën.Ata duhet të jenë me të angazhuar rreth çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, thotë Musliu, i cili mendon se Qeveria e re duhet ta ketë një zyre dhe një përfaqësues të Luginës së Preshevës për të raportuar për atë që ndodh në atë pjesë të banuar me shqiptarë.

"Mendoj se duhet marr seriozisht tash, dhe është dashur së paku ne ta kemi një përfaqësues drejtpërdrejtë në Qeverinë e Kosovës që të trajtohet dhe të informohet Qeveria e Kosovës nga burimet që vijnë nga Lugina e Preshevës. Që ta kemi një zyre që raporton çdo mbledhje në Qeveri se çka po ndodh në Luginën e Preshevës. Dhe, kjo mendoj se është ajo afërsia mes Luginës së Preshevës dhe Qeverisë", tha Musliu.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.