VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BORXHI I PËRGJITHSHËM I SHQIPËRISË ARRIN 6.6 MILIARDË EURO

E Hënë, 12.15.2014, 09:39am (GMT1)

   
Tiranë, 15 dhjetor - Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare është rritur dukshëm gjatë këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e fundit, borxhi është rritur për 588 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kurse borxhi i përgjithshëm i Shqipërisë është 6.6 miliardë euro ose 66 për qind e prodhimit bruto.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e rritjes ka ardhur nga borxhi i marrë nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër është borxh i bankave, por edhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Aktualisht borxhi që Shqipëria i detyrohet botës është 6.6 miliardë euro. Nga ky borxh, 2.6 miliardë euro janë borxhi i qeverisë, në formën e huave nga donatorët, por edhe kredive tregtare, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga kompanitë private, por edhe bankat kryesisht në formën e depozitave.

Edhe pse Shqipëria, ka një nivel të ulët borxhi nga jashtë krahasuar me vendet e tjera, të dhënat tregojnë se ky tregues po rritet me ritme të shpejta.

Sipas Bankës së Shqipërisë krahasuar me fundin e vitit 2007, borxhi i jashtëm është trefishuar në vlerë nga 2.2 në 6.6 miliardë euro dhe është aktualisht sa 66 për qind e Prodhimit Kombëtar, citon BW.

Vitet e fundit huamarrja është konsideruar një zgjidhje e detyruar për të ruajtur ekuilibrat e ekonomisë, në pamundësi për të siguruar valutë të mjaftueshme nga eksportet dhe investimet e huaja.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.