VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TIRANË - BOSNJA KUNDËRSHTON KËRKESËN E KOSOVËS PËR ANËTARËSIM NË KARTËN E ADRIATIKUT

E Hënë, 12.15.2014, 06:24pm (GMT1)



Bosnja kundërshtoi sot kërkesën e Kosovës për t'u anëtarësuar me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut, gjatë ministerialit të vendeve anëtare të kësaj nisme, i cili u mbajt në Tiranë.
 
Karta e Adriatikut është një nismë e Shteteve të Bashkuara për të përgatitur dhe nxitur anëtarësimin në Nato të vendeve të Ballkanit perëndimor. Në takimin e sotëm, ishte dhe Drejtori për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi.

Në këtë nismë bën pjesë Shqipëria dhe Kroacia, tanimë vende anëtare të Aleancës së Atlantikut, si dhe Bosnja, Mali i zi dhe Maqedonia. Ndërsa Kosova dhe Serbia janë me statusin e vëzhguesit. Kundërshtimi i Bosnjës ndaj anëtarësimit të Kosovës, duket se ka të bëjë me njohjen e Kosovës dhe statusin e saj. Ndërkohë që ishte po kërkesa e Kosovës ajo që nxiti largimin nga takimi të Serbisë, e cila përfaqësohej në nivel ambasadori.

"Secili prej vendeve të rajonit e di mirë se si e sheh raportin me NATO- n dhe me sfidat e sigurisë. Shqipëria do të dëshironte një gjithëpërfshirje në këtë nisëm",
- deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i pyetur rreth qëndrimit të mbajtur nga përfaqësuesi serb. "Sa më shpejt ta ndajnë mendjen të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë që kjo është rruga e vetme dhe më e qëndrueshme, aq më mirë do të jetë për të gjitha vendet e rajonit, në mënyrë që të mos krijojnë boshllëqe nga pikëpamja e sigurisë", - nënvizoi zoti Bushati.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.