VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TUZI SHUMË SHPEJT MERR STATUSIN E KOMUNËS - GARANTON LUKSHIQ

E Martë, 12.16.2014, 10:23am (GMT1)


Tiranë, 16 dhjetor - I mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lukshiq, ka dhënë garancinë se shumë shpejt do të plotësohet një prej kërkesave kryesore të shqiptarëve që jetojnë në shtetin e tij.

Tuzi, qyteti me popullatë shumicë shqiptare do të marrë shumë shpejt statusin e Komunës.
"Mali i Zi është i angazhuar në respektimin e të drejtave të pakicave, veçanërisht atyre shqiptare. Ka pasur përpjekje për ti dhënë Tuzit statusin e Komunës, por deri më tani nuk ka pasur konsensus. Por tashmë shumica po e mbështet.

Propozimi është në Bashki dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Tuzi do të ketë buxhetin e tij dhe do të fitojë të ardhura nga taksat", u shpreh Lukshiq.

Mali i Zi ende nuk është anëtar i NATO-s. Kryediplomati Ditmir Bushati dha këto argumente për mbështetjen e Shqipërisë, që Mali i Zi ti bashkohet Aleancës.

"Flasim për një vend i cili e ka plotësisht të përputhur politikën e tij të jashtme me atë të Bashkimit Europian, kur vjen puna për përballimin e krizave të mëdha me të cilat po përballet sot Europa në lindje dhe në jug, çka na japin argumentet e duhur para nesh, për të besuar që Mali i Zi pjesë e NATO-s do të jetë një vlerë e shtuar", theksoi Bushati.

Dy ministrat kanë nënshkruar një marrëveshje që i lejon qytetarët shqiptarë të përdorin patentat edhe në Malin e ZI. Jo vetëm kaq, por ata mund të punësohen në Malin e Zi si drejtues të mjeteve njësoj si malazezët. Patentat tona njihen edhe nga Maqedonia.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.