VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË RINJTË IKIN NGA KOSOVA MASIVISHT - PA E DITUR SE KU SHKOJNË

E Martë, 12.16.2014, 12:55pm (GMT1)

 
Ikja e të rinjve nga Kosova ka marrë hovin e pandalshëm në drejtim të shteteve perëndimore, në kërkim të një jete me të mirë.

Edhe mbrëmë nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, shkruan KP, janë nisur tre autobusë me të rinj, por që kishte edhe gra dhe fëmijë, për në Beograd, e më pas për të tentuar të kalojnë në Hungari dhe prej aty në vendet e tjera evropiane.

Ishin mbledhur në stacionin e Autobusëve në Prishtinë dy orë më herët e po i prisnin autobusët e linjës Prishtinë-Beograd, që orarin e nisjes e kishin në orën 22:00. Shumë të rinj, ndonëse nuk po njiheshin mes vete, kishin një qëllim të përbashkët: ikjen nga Kosova në kërkim të një vendi më të mirë për të jetuar.

Tre autobusë u mbushën plot me të rinj, gra e fëmijë të cilët kishin rezervuar biletat për Beograd, e me pas në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ndonëse para kamerave nuk dëshironin të flisnin, prapa kamerave thoshin se aq shumë është bërë jeta e vështirë në Kosovë, saqë patjetër duhet të dalin në perëndim.

Kishte edhe të atillë, që familja po e përcillte djalin e vetëm që kishte, edhe pse nuk e dinte se ku po e çonte, pasi nuk kishte asnjë destinacion të sigurt ku dikush do ta prite. Por, familjarët thoshin se "ku të shkojnë krejt, le të shkojë edhe djali ynë".

Por, jo vetëm të rinjtë tashmë kishin ndarë mendjen për ta lëshuar Kosovën. Aty kishte edhe familjarë të cilët me fëmijë të vegjël, jo me shumë njëvjeçarë, ia kishin mësyrë "një rruge pa adresë", me shpresa se diku, kudo qoftë, do të gjejnë një jetë me të mirë.

Të gjithë me të ardhur autobusi nxirrnin biletat që kishin rezervuar dhe ua tregonin pronarëve të autobusëve, të cilët ua bënin me dije se vetëm ata që kanë rezervuar mund të hipnin në autobus.

Disa të tjerë që kishin dalë pa rezervuar biletën, merrnin vizitkartat e kompanisë për ta bërë rezervimin dhe për të ikur nga Kosova.

Pamjet e njëjta, siç dëshmojnë edhe punonjësit e disa qebaptorëve në stacionin e autobusëve, janë qdo natë gati pesë apo gjashtë muajt e fundit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.