VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHPËTOI NË SHQIPËRI - MAFIOZI ITALIAN KAPET NË BRINDIZI

E Martë, 12.16.2014, 01:00pm (GMT1)


Me dy urdhër-arreste mbi supe dhe pas një tentative të dështuar të policisë italiane për ta kapur, mafiozi italian Cosimo Genchi ka rënë në prangat e policisë fqinje.

42-vjeçari, një personazh i njohur i nëntokës së Barit, i lidhur me klanin barez të mafias së Di Cosola dhe me një numër akuzash për vepra penale si komplot mafioz, trafik droge dhe krime të ndryshme kundër personit dhe kundër pronës, mësohet se kishte qëndruar i fshehur në Shqipëri për t'iu shmangur drejtësisë.

Mëngjesin e së dielës ai kishte vendosur të kthehej në shtëpinë e tij në Itali, transmeton oranews. Për t'iu shmangur kontrolleve të hollësishme në aeroport, ai kishte zgjedhur udhëtimin me traget nga Vlora, ku kishte blerë një biletë udhëtimi në emër të vëllait të tij, Damiano.

Me dokumenta fallso në emrin e vëllait, por me foton e tij, gjithçka ka shkuar sipas planit, ai është nisur duke mos pasur asnjë problem nga policia shqiptare.

Mbërritja në Brindisi të Italisë ka sjellë edhe prangosjen e mafiozit, fytyra e të cilit ishte pikasur nga efektivët kufitarë mes numrit të madh të pasagjerëve. Fillimisht ai është ndaluar për verifikim, e ku më pas është vërtetuar se posedonte dokumente identifikimi fallco.

Pas kësaj policia ka bërë arrestimin e 42-vjeçarit, mbi të cilin rëndon edhe akuza për posedim dhe përdorim i dokumentave fallco. Ai është transferuar në burgun e Leçes në pritje të gjykimit.

Cosimo Genchi ishte në kërkim që prej muajit Tetor 2014, pasi i kishte shpëtuar arrestimit gjatë operacionit të koduar "Tenaglia" ku u arrestuan 15 persona, italianë dhe shqiptarë.

Aksioni ishte organizuar kundër një organizate të trafikut të kanabisit nga Shqipëria për në Pulia dhe që më pas shpërndahej në zona të ndryshme të jugut të Italisë.




Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.