VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VLORË - QINDRA QYTETARË NË PORT, DUAN TË KËRKOJNË AZIL NË GJERMANI, I KTHEN MBRAPSHT POLICIA

E Enjte, 12.18.2014, 02:33pm (GMT1)



VLORË Qindra qytetarë janë dyndur mesditën e sotme në Portin e Vlorës dhe pretendojnë të nisen drejt Gjermanisë, për të kërkuar azil. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se policia ka bllokuar disa autobusë me qytetarë, të cilët thonë se kanë prerë biletat dhe synojnë të shkojnë në Gjermani për të përfituar azil.

Pronari i agjencisë që transportoi këta udhëtarë, Agim Muça deklaron se qytetarët janë këshilluar të mos kërkojnë azil në vende të BE-së.

"Ne jemi të rregullt me kompaninë tonë. Është një transport i rregullt, paguajmë taksat."- deklaroi Muça.

Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet pasi dyshon për një skemë mashtrimi.

MPB: ÇDO PËRPJEKJE PËR TË KËRKUAR AZIL NË MËNYRË ABUZIVE, E PAPRANUESHME

Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po ndërmerr hetime ndaj çdo personi, shoqërie udhëtimi ose kompanie tregtare që organizon ose ndërmjetëson për udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.

MPB bën të ditur se "Policia e Kufirit e mbështetur edhe nga strukturat e tjera të Policisë së Shtetit po punon ditët e fundit me regjim të përforcuar për të përballuar fluksin e lëvizjes në Pikat e Kalimit Kufitar me rastin e festave të fundvitit. Në këtë kontekst Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron të gjithë qytetarët se do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen. Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmon angazhimin e saj për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende. Të gjithë qytetarët që nuk do të përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji nuk do të lejohen të dalin nga kufiri i vendit".

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.