VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

THAÇI NUK I KA VOTAT E MJAFTUESHME PËR PRESIDENT

E Shtunë, 12.20.2014, 09:55am (GMT1)

  
Hashim Thaçi nuk e ka të sigurt nëse do t'i marrë votat e mjaftueshme nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së, në kohën kur do të votohet për president të vendit në vitin 2016.

Pakënaqësitë e deputetëve të të dy taborëve për koalicionin qeverisës kanë bërë që numri i deputetëve nga këto dy parti të tkurret. Tani partnerët e koalicionit qeverisës së bashku në Kuvend numërojnë hiq më shumë se 57 deputetë. Kësisoj vota e deputetëve të minoriteteve do të ishte përcaktuese nëse Hashim Thaçi do të ulej në karrigen e të parit të shtetit.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se koalicioni PDK-LDK qysh në seancat e para të Kuvendit ka dëshmuar se ka probleme të brendshme, sidomos në sigurimin e votave, shkruan tribuna. Sipas tyre, nëse ky trend vazhdon, atëherë as Hashim Thaçi nuk do ta kishte shumë të sigurt se do të merrte vota të mjaftueshme për president nga deputetët shqiptarë të partive në pushtet.

Analisti Artan Muhaxhiri mendon se me këtë gjendje dhe me të gjitha këto pakënaqësi publike të deputetëve të këtyre dy partive, do të jetë shumë vështirë edhe për Isa Mustafën që ta bëjë punën e tij si kryeministër, dhe për Hashim Thaçin, që në mënyrë të qetë ta presë vitin 2016 dhe ta marrë postin e presidentit. Sipas tij, këto pakënaqësi nuk guxojnë të injorohen sepse nëse injorohen, atëherë, sipas tij, vetëm sa do të fuqizohen dhe do të shkaktohen probleme në funksionimin normal të koalicionit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.