VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SURROI - KOSOVA ËSHTË E OKUPUAR NGA ZAPTUESIT E SHTETIT

E Hënë, 12.22.2014, 06:31pm (GMT1)

   
Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se Kosova është e okupuar nga zaptuesit e shtetit.

Ai ka thënë se këta zaptues nuk vrasin e rrahin sikurse ka bërë Serbia, por ata orë pas ore marrin nën kontroll institucione e hapësirat mediatike që i nënshtrohet.

"Në shtetin e zaptuar është më lehtë të vlerësosh se sa është hapësira që nuk është zaptuar se ajo që është zaptuar. Vendin më meritor të hapësirës së pa zaptuar e zë kompania Koha", ka thënë Surroi.

Ai ka theksuar se shteti i zaptuar me dhunues si model dhe modelues të kulturës politike i sheh si halë në sy institucionet që nuk duan t'i nënshtrohet.

"Pavarësia kushton me telefonata, kërcënime, me leje komunale, me reklama, kushton me ballafaqimin e përditshëm të atyre medieve që nuk janë të pavarura e që pronarët e tyre bëhen të pasur për një kohë të shkurtër", ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur për rolin e gruas në Kosovë, ai ka thumbuar edhe presidenten Jahjaga. Ai tha se po bëhet përpjekje për prapakthim të barazisë së gruas.

"90 vjet pasi e hoqi çarçafin gjyshja jonë Sadife, po bëhet sërish përpjekje që femra kosovare të mbulohet me shami e çarçaf, një përpjekje gjithandej për t'ia mbuluar edhe fytyrën edhe veshët edhe gojën edhe dinjitetin e gruas, edhe dinjitetin tonë në përgjithësi", ka thënë mes tjerash Surroi.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.